Të lira por pa efektin e duhur, qytetarët ankohen për cilësinë e ilaçeve në Shqipëri
Cilësia dhe jo efektiviteti i barnave, është një shqetësim që qytetarët shqiptarë e ndajnë në masë, ndaj ata që kanë mundësi gjithmonë e më shumë po i blejnë nga jashtë ilaçet. Ish drejtori i ISHP, Besnik Jakaj, konfirmon shqetësimin, dhe thotë se kjo situatë është pasojë e një ligji që miraton importin e barnave nga vende jashtë BE e SHBA
“ Pi akoma ilaçe. Ato që janë në farmaci, deri tani sme ka gjetur ndonjëgjë. Efekt pozitiv? Ja jam gjallë” thotë një qytetar për mikrofonin e Ora News.
Një vëzhgim në Tiranë tregoi se këtë shqetësim për cilësinë e barnave, qytetarët e ndajnë në masë.
Ata që kanë mundësi, e kanë gjetur zgjidhjen duke i porositur ilaçet, kryesisht në vendet e BE, me bindjen se cilësia e barnave është më e mirë.
Qytetari: “I përdora dy javë sa mi dha mjeku, në farmaci këtu. Asnjëgjë fare, kur bëra rikontrollin. Mi solli dikush nga Greqia po me atë recetë, të përkthyer, për dy javë dhe të them të drejtën u bëra mirë. Në Shqipëri i kam blerë sepse nuk kam njeri jashtë. Po të kisha njeri jashtë do i merrja jashtë”
Besnik Jakaj, ish drejtor i ISHP, tregon se kjo situatë në tregun farmaceutik është pasojë e ligjit të 2014 që lejon importin paralel të barnave.
Besnik Jakaj: “Këto ndryshime ligjore ndikuan negativisht, sepse importi paralel rrit mundësinë e ripaketimit të barnave, pra të ndryshimit të datës së prodhimit me datën e skadencës. Një element tjetër negativ. Ishte krijuar prej vitesh sektori i farmakovigjilencës shkenca që ndjek dhe monitoron sjelljen e barnave në treg dhe ky sektor ka vite që nuk ka bërë asnjë lloj aktiviteti”
Fenomeni është denoncuar në vazhdimësi, por reagimi i institucioneve nuk është parë.
Jakaj zbulon se në agjencinë e barnave nuk kryhen analizat e barnave që përdoren në Shqipëri.
Besnik Jakaj: “Me ndryshimin e godinës së agjencisë së barnave dhe paisjeve mjekësore, laboratori doli jashtë funksionit. U shpenzuan para, u blenë aparatura të reja dhe ato nuk janë vendosur në punë dhe sot nuk behen analizat e barnave në vendin tonë”
Cilësia e dobët shitet lirë, dhe këto medikamente janë pjesë e listës së barnave që shteti u rimburson qytetarëve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
