Vrasja e Edmond Papës: Alban Velo u arrestua sapo zbriti në Rinas, tentativat për tu vetëdorëzuar dhe roli i tij
Ora News mëson detaje të reja lidhur me arrestimin e Alban Velos nën akuzën e vrasjes me paramendim të biznesmenit nga Saranda Edmond Papa më 16 dhjetor 2022 në Tiranë.
Alban Velo është arrestuar në orët e para të mëngjesit të 1 janarit 2023, në kushte te flagrancës në aeroportin “Nënë Tereza” sapo po kthehej nga Franca.
Roli i Albano Velos
”I arrestuari Alban Velo dyshohet të jetë personi që ka pritur ekzekutorin e Edmond Papës dhe e ka larguar me makinën tip Audi A 4" informon gazetari Edison Vatnikaj.
"Nga hetimi rezultoi se autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit" thuhet në njoftimin e sotëm (3 janar 2023) të policisë.
Ditën e vrasjes 49 vjeçari kishte ardhur nga Saranda në Tiranë për të vizituar të ëmën që e kishte shtruar në spital.
Nga hetimet mësohet se ditën e vrasjes ekzekutori ka mbërritur në vendin e ngjarjes me një makinë tip Smart. Pasi ka hyrë në lokalin ku ishte ulur Edmond Papa, afër pallatit ku banonte i vëllai në rrugën “Fadil Bodinaku“ autori ka zbrazur karikatorin e pistoletës drejt 49 vjeçarit, informon gazetari Edison Vatnikaj.
Ekzekutori ishte me Smart
Nga kamerat e sigurisë policia ka mundur të dokumentojë se ekzekutori ka parkuar makinën tip Smart në afërsi të lokalit. Pasi ka kryer ekzekutimin është larguar me Alban Velon me Audi A4.
Më pas Alban Velo është larguar drejt Francës, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është kthyer disa ditë më pas dhe ka marrë makinën tip Smart për tu larguar në drejtim të paditur.
Gazetari i Ora News Edison Vatnikaj duke iu referuar burime jo zyrtare bën me dije se Alban Velo është djali i një punonjësi policie. Madje policia ka kryer një bisedë paraprake me familjarët e tij për tu vetëdorëzuar Albani pasi të gjitha provat ligjore të çonin tek ai. Disa orë më vonë policia e shtetit konfirmoi se Alban Velo ishte djali i një polici me shërbim patrulle në komisariatin nr 4 në Tiranë i cili ishte pezulluar dhe kishin nisur hetimet për të.
Pistat e hetimit
Policia është e rezervuar dhe ende nuk ka dhënë motivin e vrasjes por dy pistat e hetimit janë: Prishja e pazareve të drogës por dhe vrasjen e Aleksandër Sadikaj ndodhur në 11 qershor të 2022 ku dyshohet se ka qenë I përfshirë dhe Edmon Papa.
Eshtë përjashtuar pista që lidhte vrasjen e Papës me vrasjen e dy shqiptarëve në Athinë më 17 dhjetor 2022.

