Shpopullimi ul numrin e foshnjave/ Në maternitetin e Kukësit, 48 orë pas ndërrimit të viteve lind vetëm një foshnjë
Shpopullimi në Kukës evidentohet edhe nga numri i ulët i lindjeve. Që nga ndërrimi i viteve në maternitetin e Kukësit ka lindur vetëm një fëmijë. E ajo që e bën më të dukshëm shpopullimin është se prindërit e foshnjës nuk janë nga Kukësi por nga bashkia e Hasit.
Në 48 orët e para të vitit 2023 në maternitetin e Kukësit ka lindur vetëm një fëmijë, vajzë dhe fatmirësisht gëzojnë shëndet të plotë si foshnja dhe nëna.
Por fëmija i parë për këtë vit i lindur në maternitetin e Kukësit është nga bashkia Has.
“Viti 2023 ka nisur me një lindje, seksi femër, pesha 4.5kg. fëmija gëzon shëndet të plotë. Është nga rrethi i Hasit.”
Shefja e maternitetit, Venezie Doçi, thotë se në orët e para të çdo viti ka pasur deri në tre lindje, ndërsa këtë vit jo.
Gjithsesi gjatë këtyre ditëve priten disa lindje.
“Sa i përket numrit të lindjeve kanë ardhur në ulje. Vjet numri i lindjeve ka shkuar deri në 650, sivjet varion deri në 580.”
Rënia e numrit të lindjeve vit pas viti është e ndjeshme, mjekja pediatër Venezie Doçi referon disa arsye.
“Arsyet që kanë çuar në uljen e numrit të lindjeve është emigrimi i popullatës, emigrimi i të rinjve dhe planifikimi familjar.”
Sipas të dhënave në Kukës lindshmëritë vit pas viti janë në rënie me të paktën 10%.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
