Vrasja e Edmond Papës: I arrestuari, djali i një polici në Komisariatin nr 4. Nisin hetimet për të atin
Alban Velo i arrestuar për vrasjen me paramendim të biznesmenit nga Saranda, Edmond Papa, është djali I një polici në Komisariatin nr 4 në Tiranë.
Zyrtarisht policia e shtetit e konfirmoi lajmin e publikuar nga Ora News duke saktësuar edhe se ka bërë pezullimin nga detyra të Dilaver Velos, inspektor me detyrë në trup shërbim në seksionin e patrullës në komisariatin nr 4 në Tiranë.
Menjëherë pas ndalimit të shtetasit Alban Velo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor Dilaver Velo me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë
Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin e thelluar ndaj punonjësit të Policisë, të pezulluar nga detyra" thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së shtetit.
Alban Velo u arrestua në orët e para të mëngjesit të 1 janarit 2023, në kushte te flagrancës në aeroportin “Nënë Tereza” sapo po kthehej nga Franca.
”I arrestuari Alban Velo dyshohet të jetë personi që ka pritur ekzekutorin e Edmond Papës dhe e ka larguar me makinën tip Audi A 4" informon gazetari Edison Vatnikaj.
Nga hetimet mësohet se ditën e vrasjes ekzekutori ka mbërritur në vendin e ngjarjes me një makinë tip Smart. Pasi ka hyrë në lokalin ku ishte ulur Edmond Papa, afër pallatit ku banonte i vëllai në rrugën “Fadil Bodinaku“ autori ka zbrazur karikatorin e pistoletës drejt 49 vjeçarit, informon gazetari Edison Vatnikaj.
Policia informoi se nga hetimi rezultoi se autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit më 16 dhjetor 2022.
