Konflikti me armë në lokalin “Kobra” në Prizren, vritet 31-vjeçari nga Kukësi, plagoset shoku i tij
Një 31 vjeçar nga Kukësi ka mbetur i vrarë ndërsa një shok i tij është plagosur, pas një konflikti me armë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në Prizren.
Policia tha se dy personat e qëlluar me armë kanë hyrë në kufirin nga Kosova me qëllim transportimin drejt spitalit të Kukësit, rreth orës 4:25 të mëngjesit.
Shtetasi Visart Cengu, 31 vjeç, nga Kukësi ka gjetur vdekjen nga plagët e marra ndërkohë që shoku i tij Rufgen Shehu, është plagosur. Bashkë me ta ka qenë edhe Arben Basha.
Tre personat nga Kukësi mësohet se kanë qenë mbrëmjen e djeshme në lokalin “Kobra City” në Prizren në pronësi të shtetasit Dibran Hoxha, i njohur si "Kobra".
Dyshohet se autor i ngjarjes është ky i fundit, i cili pas konfliktit me tre personat nga Kukësi ka qëlluar me armë ndaj tyre teksa ata po largoheshin nga lokali.
Policia bën me dije se tre personat nga Kukësi të përfshirë në konflikt, mësohet se nuk kanë pasur armë me vete.
Policia shqiptare thekson se është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës. I mbijetuari Arben Basha, dhe miku tjetër i plagour Rufgen Shehu, kanë thënë se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, pas konfliktit në lokalin e natës.
Në momentin që tre personat nga Kukësi po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi Dibran Hoxha, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. policia shqiptare bëri me dije se po heton ngjarjen dhe ka nisur shkëmbimin e informacionit me Policinë e Kosovës.


