Rrugët e pakalueshme të Kurbinit, aksi në Prozhen dhe Shullaz terësisht i shkatërruar, banorët apel për ndërhyrje

Zonat periferike vijojnë të vuajnë mungesën e investimeve nga institucionet lokale por edhe ato qëndrore. Në fshatrat Prozhen dhe Shullaz të Kurbinit rruga është bërë e pakalueshme. Gropat e mëdha që janë krijuar dhe mungesa e ndërhyrjes kanë krijuar një situatë kaotike atje, banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente.

Kjo është gjendja e rrugës që lidh fshatrat Shullaz dhe Prozhen në Kurbin me autostradën Milot-Mamurras.

Ky segment rrugor me gjatësi 800 metra, i cili ju shërben 400 banorëve të kësaj zone ka degraduar plotësisht.

"Siç e shikoni vetë mbetja e interteve është një masakër që po bëhet këtu sepse këta kanë menduar që Shqipërinë ta kthejnë në kosh mbeturinash".

Në kohë me shi gropat mbushen me ujë dhe kalimi i automjeteve e këmbësoreve është mjaft i vështire, ndërsa shqetësim është dhe hedhja e inerteve në anë të rrugës.

Banorët thonë se kjo situatë ju ka vështirësuar jetesën, ndërsa premtimet për ndërhyrje në çdo fushatë elektorale kanë rezultuar gënjeshtra.

"Dola nga autosrada me shku në Laç, një rrugë e tillë as me fuoristradë nuk kalohet. Nuk e di nga ikin taksat tona. Edhe zetori has vështirësi."

"Nuk merr njeri masa, kanë ardhur shumë herë e kanë parë."

Në situatë të ngjashme janë shumë segmente rrugore në fshatrat e Bashkisë së Kurbinit, duke ndikuar në jetën e qindra banorëve në këto zona.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.