Berisha: Paketa e Ramës prej 8 miliardë lekësh, nismë elektorale. Negociatat kanë mbetur, pasi Rama ka zgjedhur krimin

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi paketën e ndihmës prej 8 miliardë lekësh si nismë për përfitime elektorale, ndërsa vlerësoi se ndihma nuk është aspak në proporcion të drejtë me krizën e çmimeve që po kalon vendi si pasojë e keqqeverisjes së vendit nga ana e Edi Ramës. 

Gjatë konferencës për shtyp Berisha deklaroi se hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian kanë mbetur pezull.

Shkak, sipas Berishës, është bërë qasja e kryeministrit Edi Rama në krah të krimit të organizuar dhe jo të integrimit të vendit në BE.

“Viti që lamë pas kishte një zhvillim për të cilin shqiptarët pritën 8 vite. Ky zhvillim ishte hapja e negociatave.

Por, ndonëse konferenca që simbolizon vendimin e hapjes, u hap, negociatat janë on-hold.

Kjo vetëm e vetëm se Edi Rama, mes rrugës evropiane për Shqipërinë dhe rrugës së krimit, jep dëshmi të sigurta se qëndron për të dytën.

Dëshmi flagrante e kësaj është përpjekja e tij për të kaluar ligjin e amnistisë fiskale. Dëshmi e kësaj janë pasaportat e arta. Janë deklaratat e tij nga samiti në samit, se mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar nga Serbia, është një gjë pozitive, se asaj nuk i duhet kërkuar respektimi i sanksioneve ndaj Rusisë.

Pra, një akti historik të BE-së, për të dëshmuar perspektivën evropiane të Shqipërisë, Edi Rama i kundërpërgjigjet në një mënyrë anti-europiane, që bie në kundërshtim flagrant me interesat kombëtare të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre”, deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha.