“Përçarja e PD-së, fitore për PS-në”, demokratët kërkojnë bashkim për vendoret në Mirditë

Pavarësisht se në Tiranë dy pjesët e PD duket se kanë ndalur çdo negociatë për një bashkim të mundshëm për zgjedhjet vendore në rrethe eksponentë të PD janë duke bërë përpjekjet e tyre. Në Mirditë, zyrtarë të  grupimit të Alibeajt thonë se përçarja dhe shkuarja në zgjedhje si dy grupime i garanton fitoren edhe një herë Partisë Socialiste!

Ndonëse dështuan negociatat për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 majit në Bashkinë Mirditë, grupimi i Partisë Demokratike të Enkelejd Alibeajt nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me grupin e rithemelimit të Sali Berishës.

Teksa foli mbi arsyet e dështimit të negociatave, iniciatori i  bashkimit të demokrateve në Mirditë Alfred Duka thotë se përpjekjet për bashkëpunim do të vazhdojnë, pasi përçarja e demokrateve ju garanton sërish fitoren socialisteve në Bashkinë Mirditë.

“Në këtë mënyrë është e garantuar se kushdo që ka dhënë atë urdhër, për prishjen e këtij shtabi, ka garantuar fitoren e Partisë Socialiste në Mirditë. Ne do ta shtrijmë dorën përsëri për të bashkëpunuar, por jo në kushtet e mëparshme. Tani do të vendosim edhe ne kushtet tona, dhe do të vendosim kushtet si të barabartë në mbështetje dhe në përfitime të këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Alfred Duka, iniciator i bashkimit të demokratëve në Mirditë.

Grupimi i Enkelejd Alibeajt dhe i rithemelimit të Sali Berishës në Mirditë zhvilluan disa takime për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14-majit, por marrëveshja nuk u arrit, pasi Rithemelimi vijoj me proçesin e primareve ku garën e fitoi kandidati Albert Melyshi.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.