“Provokim anti-NATO i Ramës”, Shehu: Mbas Kinës, mbetet Rusia për t’i hequr regjimin e vizave!

Partia Demokratike vijon reagimet e saj lidhur me vendimin e mbledhjes së të martës të Këshillit të Ministrave, për heqjen e vizave me Republikën Popullore të Kinës, për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe të pasaportave të zakonshme.

Reagimi i radhës vjen nga deputeti demokrat, Tritan Shehu, i cili përmes ironisë shprehet se tashmë pas Kinës, mbetet Rusia për t’i hequr regjimin e vizave.

Në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, Shehu thekson se ky është një shërbim ky i Ramës e i “Ballkanit të hapur” edhe ndaj Rusisë, si partnere e ngushtë e Kinës, por nga ana tjetër është një goditje e rëndë edhe për Kosovën e Rajonin.

Në vijim, Shehu e vlerëson këtë si qëndrim Anti-Perëndim të qeverisë shqiptare.

“Mbas Kinës mbetet Rusia për t’i hequr regjimin e vizave!

Një “zgjerim” ky i “Ballkanit të hapur” të Vuçiçit drejt Lindjes, ashtu siç pritej.

Një tregues ky i vartësisë së Ramës prej tij, në një kohë kur një regjim të tillë vizash ndaj Kinës e ka vetëm Serbia e Bosnja në Europë.

Një shërbim ky i Ramës e i “Ballkanit të hapur” edhe ndaj Rusisë, si partnere e ngushtë e Kinës.

Një goditje e rëndë edhe për Kosovën e Rajonin.

Kujtoni ato pamje e qëndrime të Kinës e ambasadës së saj në Beograd gjatë bombardimeve të NATO-s… por jo vetëm atëherë, deri më sot!

Një provokacion anti-NATO ky i Qeverisë së Shqipërisë, që kryhet pikërisht kur provokacionet serbe ndaj Kosovës janë në pika kulminante.

Provokacion ky edhe ndaj vetë ShBA-së, në një kohë që tensionet me Kinën janë shumë lart, duke u konkretizuar me mundësinë e përplasjes në Taiëan.

Provokacion edhe ndaj vendeve të BE-së, asnjë nga këto vende, apo anëtarët e NATO-s nuk bëjnë një hap të tillë.

Një proces tejet i rrezikshëm ky, i filluar me “Ballkanin e hapur” e i drejtuar kundër aspiratave tona.

Një strategji e “vizion” anti-Perëndim e anti-Europë i Ramës që tani po konkretizohet duke tentuar të degdisi Shqipërinë sa më larg në Lindje.

Aty ku mund të mbijetojnë autokratët…

Fatkeqësisht historitë lindore të Shqipërisë, të sulltanëve, apo diktaturave komuniste, po përsëriten për të “zezën” e këtij vendi e populli.

Dhe ato hije të së kaluarës do të vazhdojnë të “errësojnë” jetën tonë për aq kohë sa ky popull të qëndrojë i “përgjumur”!”, shprehet në reagimin e tij ligjvënësi demokrat Tritan Shehu.