PL dyshime për rikthimin e basteve, Vasili: Edi Rama, peng i çdo operacioni të pisët financiar
Partia e Lirisë ka reaguar lidhur me nismën e qeverisë rikthimin e basteve sportive në Shqipëri.
Nënkryetari i kësaj force politike Petrit Vasili iu drejtua kryeministrit Edi Rama që të sqarojë arsyen se pse vendosi ta rikthejë ligjin e basteve, disa vite pasi e kundërshtoi vetë ai.
Vasili tha se kryeministri Rama ua rezervoi si dhuratë qytetarëve për festa këtë lajm, ndërsa shtoi se vetë Rama në parlament kishte deklaruar se bastet ishin një dëm shkatërrimtar i ekonomisë së familjeve në vend dhe një burim stresi për qytetarët, ndërsa sot kërkon t’i rikthejë për t’ua kaluar njerëzve të tij.
“Ne pyesim se çfarë do ndodhë me këta mijëra të rinj që sipas tij kanë filluar të luajnë bixhoz? Rama ka thënë publikisht që mbi 700 milionë euro qarkullojnë në këtë botë të basteve, që kanë qenë një dëm shkatërrimtar për ekonominë familjare shqiptare. Bastet kanë qenë një burim i stresit i të rinjve dhe familjeve. Njëkohësisht ne dimë që Rama porositi dhe studim për të provuar efektin shkatërrimtar të basteve, ku shkoi ky efekt. Na tha që bastet administrohen nga njerëz të inkriminuar, listoi një sërë njerëzish. Na tha që bastet janë një nga burimet e rëndësishme të krimit të organizuar.
Ramës i punon mendja për ligje bastesh, për amnisti fiskale, për të falur Portin e Durrësit, për të bërë inceneratorë e koncesione, për të grabitur miliarda. Është po i njëjti Edi Rama që ankohet pse ka prodhim të madh ullinjsh, mirë që nuk ankohet edhe për Skënderbeun që ka pasur tradita me ullinj. Ne kemi një kryeministër që thotë se duhet të largoheni nga vendi, thotë që do miratojë bastet që t’ua japë njerëzve të tij, qofshin edhe familjarë. Ndaj ka vetëm një zgjidhje, largimi i tij dhe bandës së tij”, deklaroi Petrit Vasili.
Vasili foli gjithashtu për arrestimin e zyrtares së AKSHI-t duke transportuar kanabis, ndërsa tha se kjo është një qeveri e kalbur deri në themel dhe pa shërim.
“Lajmet tregojnë që drejtorët e AKSHI-t janë transportues të drogës, kjo është qeveria e kalbur deri në themel dhe pa shërim e Edi Ramës”, deklaroi nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili.


