Provokimet e Serbisë në Veri, Haxhinasto: Dëshiroj të shikoj "fundin e dashurisë diplomatike" Tiranë-Beograd
Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, thotë se Serbia stis tensione në veri për të çuar përpara axhendën e saj politike në çështjet që ka interes.
Haxhinasto: Beogradi ka dhënë prova se di të përdorë tensione të tilla për të krijuar situata dhe gjetur zgjidhje ose avancime të favorshme politike në fusha që ka interes, qoftë në marrëdhëniet me Kosovës, qoftë në marrëdhëniet me BE, qoftë dhe si justifikim për mungesën e angazhimit sëbashku me shtete të tjera të Ballkanit apo dhe të Europës për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Është një instrument që përdoret vazhdimisht nga Beogradi për të arritur qëllimet politike.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, Haxhinasto vlerëson qëndrimin e Prishtinës zyrtare, teksa kërkon më shumë kordinim dhe angazhim nga Tirana në mbështetje të Kosovës.
Haxhinasto: Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë përpjekur të reflektojnë domosdoshmërinë kushtetuese që Kosova të respektojë territorin e saj, institucionet që janë të rëndësishme për të vendosur kontrollin mbi territorin e Kosovës. Qëndrimet e tyre kanë qenë korrekte. Por duhet parë ajo që bën Tirana. Në gjykimin tim,Tirana duhet të jetë më pranë me qëndrimet e saj ndaj kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani për të mbështetur Kosovën në këto momente që janë kritike dhe pres të shikoj një kordinim më të mirë të qëndrimeve midis Kosovës dhe Tiranës.
Dëshiroj të shikoj "fundin e dashurisë diplomatike" midis Tiranës dhe Beogradit dhe kthimin tek racionaliteti i marrëdhënieve dhe kthimin te një kuptim më i drejtë dhe një domosdoshmëri për të evituar tensionet e panevojshme që vendosen para Prishtinës. Partnerët europianë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në këtë çështje, pasdiskutim që SHBA-të janë të domosdoshëm në uljen e tensioneve. Po shikoja me vëmendje edhe deklarimet e fundit të DASH, që janë shumë të qarta sa i takon uljes së tensioneve.
Është e nevojshme që BE të jetë më i vendosur dhe më kërkues në respektimin e axhendës së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Duke ditur që këto tensione krijohen në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Serbisë është e domosdoshme të ketë një dekurajim të menjëhershëm të tyre, të shikohet në thelbin e tyre, arsyet pse krijohen dhe të hiqet dorë nga një përkëdhelje që i bëhet Serbisë sa i takon sjelljes së saj që në mënyrë të vazhdueshme ka çuar në rritjen e tensioneve me Kosovën.
Haxhinasto tërheq vëmendjen edhe sa i takon krijimit të Asociacionit të komunave serbe. Sipas tij, mënyra e vetme për të vendosur në rrugë të sigurtë njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë është që gjithçka të bazohet mbi vlerat europiane, jo mbi ballkanizimin e pushteteve.
Haxhinasto: Duhet të kemi shumë kujdes, dhe kjo është një thirrje edhe e partnerëve tanë kryesorë për mënyrën sesi do të formohet Asociacioni i komunave serbe, mënyra e vetme është që ai të formatohet duke respektuar të gjitha previzionet kushtetuese që ka Kosova për të mos krijuar një minishtet brenda Kosovës do të krijonte jë konflikt pa fund që do të riciklohej në mënyrë të vazhdueshme.
Mënyra e vetme për të vendosur në rrugë të sigurtë njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë është që gjithçka të bazohet mbi vlerat europiane, jo mbi ballkanizimin, copëtimin e mëtejshëm, të territoreve, pushteteve. Një shembull i ballkanizmit të pushteteve është Bosnja.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

