Nikolla letër deputetëve për festa: Ju uroj një Vit të Ri të mbarë, në çdo debat të ruajmë etikën
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u ka dërguar një letër urim deputetëve me rastin e festave të fundvitit.
Ajo i falenderon të gjithë deputetët për kontributin e tyre parlamentar dhe thekson se Kuvendi ka ndërmarrë dhjetëra veprimtari gjatë këtij sesioni.
Ajo i bën thirrje deputetëve që debatet janë të mirëpritura, por jo mungesa e etikës, duke apeluar që të respektohen edhe zakonet shqiptare.
Letra e Nikollës:
Me rastin e mbylljes së sesionit parlamentar, dëshiroj t’ju falenderoj të gjithë Ju, deputetë të mazhorancës dhe opozitës, për kontributin Tuaj në debatin parlamentar të të gjitha përmasave, në ushtrimin e funksioneve dhe në veprimtaritë e Kuvendit të Shqipërisë. Sesioni që sapo mbyllëm ishte një kohë punësh të rëndësishme për hartimin e akteve ligjore, kontrollin e monitorimin e qeverisë dhe mbështetjen e institucioneve të pavarura.
16 seancat plenare, 85 mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe dhjetra veprimtari të tjera parlamentare, i kemi realizuar bashkarisht, në komunikim me njeri-tjetrin, ku ka mbizotëruar transparenca në rritje si shërbim ndaj qytetarëve. Në punën time të përditshme jam përpjekur t’i qëndroj besnike angazhimit tim publik për të qenë e paanshme, në mënyrë që të gjithë deputetët të gëzojnë hapësirat dhe aksesin në seancat plenare, komisionet dhe veprimtaritë e tjera parlamentare, sipas Kushtetutës fhe Rregullores.
Janë të mirëpritura debatet dhe mospajtimi midis shumicës dhe pakicës. Ato përbëjnë thelbin e demokracisë parlamentare. Kultura joetike dhe joqytetare e debatit është një shembull i keq për shoqërinë dhe, si e tillë, e papranueshme dhe e dëmshme.
Kolege dhe kolegë të nderuar, i bëj apel ndërgjegjes Suaj qytetare që në çdo debat të respektojmë kodet tona zakonore, kuvendet e odat shqiptare, të gjithë atë që ne e konsiderojmë traditë të vyer dhe krenohemi me të.
Liria e fjalës është dhe do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cenohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë përkrah përgjegjësiaë, akuza përkrah faktit. Me modesti Ju sjell në vëmendje maksimën e Papa Françeskut se moskontrolli i fjalëve të këqia sjell edhe moskontrollin e ndenjave dhe shkakton një ndotje shumë më të madhe sesa ndotja e mjedisit.
Përfitoj nga ky rast për të përsëritur urimin tim për një vit të ri të mbarë për vendin tonë të dashur, Shqipërinë, dhe shëndet e gëzime në familjet Tuaja!
Sinqerisht, Lindita NIKOLLA
