Xhaçka i përgjigjet Daçiç: Serbia të ndalojë së përkrahuri ngritjen e barrikadave në veri të Kosovë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar sërish për tensionet në veri të Kosovës, kësaj here me një përgjigje të qartë ndaj homologut të saj serb Daçiç, që më herët i bëri thirrje që ti kujtojë Albin Kurtit detyrimet që ka.

Në Twitter, Xhaçka e bën të qartë se as ushtria e Serbisë nuk do të hyjë në “Kosovë”, as ushtria e Kosovës nuk do të hyjë në ndonjë konflikt të armatosur!

Sipas saj, gjithçka ka të bëjë me një shfaqje të politikës së brendshme dhe nuk ka të bëjë me interesat e njerëzve të zakonshëm.

"Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe duhet të ndalet për hir të gjithë rajonit tonë" bën thirrje ajo.

Kryediplomatja shqiptare  thekson se Serbia duhet të ndalojë së përkrahuri me arsyetime të pajustifikueshme ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe më në fund të kuptojë se e ashtuquajtura “Kosova&Metohija” ka ikur. Përgjithmonë!

"Barrikadat nuk mbrojnë asnjë serb në Kosovë, ato vetëm minojnë të ardhmen tonë të përbashkët".

Xhaçka kujton se shqiptarët dhe serbët janë dy kombet më të mëdhenj të këtij rajoni dhe ata janë “dënuar” për të gjetur një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët.

"Ne u bëjmë thirrje të dy liderëve të ulen dhe të bisedojnë dhe i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të këmbëngulin në këtë. Çdo gjë tjetër përveç dialogut është e dënuar të dështojë. Mjerisht" përfundon Xhaçka.