PD: SPAK e arkivoi hetimin që përvëlon Ramën, Ahmetajn dhe Veliajn me urdhër të Ramës

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Akil Kraja, denoncoi mbylljen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK, të asaj që opozita e cilëson si afera më e madhe korruptive në ve, ajo e incineratorëve.

Nga foltorja e selisë blu, Kraja deklaroi se me urdhër të vetë Edi Ramës, u arkivua hetimi që përvëlon kreu Qeverisë, ish-ministrin Arben Ahmetaj dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.

Ky, tha Kraja, është demonstrim flagrant antiligjor i “Skap-it të Partisë”.

“Skap-i në grazhdin e djegësave të partisë.

Dje me urdhër të Edi Ramës, Skap-i i Partisë arkivoi hetimin ndaj dy prokurorëve të tij të cilët kishin fshehur nga dosja e gjykimit, dokumente përvëluese të lidhjeve financiare të Arben Ahmetaj i cili së bashku me Ramën dhe Agaçin e Velinë, përbën figurën më kyçe të vjedhjes në aferën e djegësave, nga kjo organizatë kriminale të qindra milionë eurove.

Dokumentet e fshehura nga dosja ishin dëshmi flagrante që provonin lidhjen në krim të Arben Ahmetajt me Zoton dhe Gugallen e tij, lidhje të cilat Ahmetaj për të fshehur krimin i ka mohuar para kamerave duke mashtruar nën betim.

Prokurorët bashkëpunëtorë  të Ahmetajt me urdhër të Edi Ramës, u përjashtuan nga hetimi pasi çdo hetim i tyre nënkuptonte automatikisht hetim të Ahmetajt dhe direkt të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit  dhe Erion Velisë.

Në refuzimin e hetimit të dy prokurorëve që kanë fshehur dokumentet e dosjes për Arben Ahmetajn dhe deklarimin se Arben Ahmetaj nuk është nën hetim, Skap-i i Partisë faktoi se po zhgërryhet përfundimisht në grazhdin e djegësve të partisë, dhe se nuk është gjë tjetër veçse një seksion i specializuar, i korruptuar dhe i lidhur me krimin e Partisë - Shtet.

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim korruptiv dhe të papërgjegjshëm të Skap-it të Partisë dhe garanton bajlozët e krimit se ora e drejtësisë mund të vonojë, por nuk harron”, deklaroi anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Akil Kraja.