“Gjithçka vendoset si në shpella”, Berisha: Në vend që të rrisë pagat, Rama e ka mendjen te vjedhja

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i kërkon pasardhësit të tij në Kryeministri, Edi Ramës që të rrisë pagat e ushtarëve dhe policëve.

Ndërsa publikon një pjesë nga fjalimi i tij në seancën e fundit të klëtij sesioni parlamentar, Berisha thekson se Rama në vend që të vjedhë me dronët dhe satelitët, bën mirë ta ketë mendjen tek rritja e pagave për efektivët e rendit dhe sigurisë.

Në pjesën e fjalimit të përzgjedhur për publikim, Berisha thekson se Rama e drejton vendin si shpellarët.

“Sa i blen dronet, na e thuaj pak? Nuk e thua çmimin se vjedh, sepse në të gjithë botën, çfarëdo që të blihet, edhe sistemet më të sofistikuara, kanë çmim dhe u tregohet popullit, po shpenzohet kaq. Kurse këtu gjithçka vendoset si në shpella.

Në radhë të parë ato para përdori për të rritur rrogat e ushtarëve, janë gjysma e ushtarëve që kanë dhënë dorëheqjen, nuk jetojnë dot me pagën mizerabël që marrin. Të paguajnë ushtarët njëherë, të paguajmë oficerët, të paguajnë policët, pastaj të shkojnë te satelitët”, thekson Berisha.