“Tradhtia, këmbëkryq”, Vasili: Edi Rama, pazarxhi kufijsh. Pas Kosovës po e bën dhe me Greqinë për kufirin detar
Partia e Lirisë ka reaguar ashpër lidhur me deklaratat e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili theksoi se idenë për ndarjen e Kosovës e solli Edi Rama, dhe jo Hashim Thaçi.
Përmes rrjeteve sociale, nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili, ndërsa e akuzon kreun e qeverisë shqiptare për tradhti të rëndë kombëtare, paralajmëron se atë ndarje që dështoi ta bënte me Kosovën, Edi Rama po kërkon ta realizojë me Greqinë lidhur me çështjen e kufirit detar.
Vasili shprehet se të gjitha pazaret e Ramës për kufijtë vijnë si pasojë e shërbimit të tij ndaj Rusisë dhe Serbisë.
“Tradhtia është ulur këmbëkryq në karrigen e kryeministrit të Shqipërisë!
“Idenë për ndarjen e Kosovës e solli Edi Rama”.
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Z. Enver Hasani deklaron publikisht këtë fakt shumë të rëndë në një intervistë dhënë dje Televizionit 7.
Edhe Sonja Biserko, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi pak kohë më parë pohonte:
“Në të vërtetë, Beogradi gjatë gjithë kohës ka kërkuar partner në Tiranë dhe më në fund e ka gjetur atë: është kryeministri shqiptar Edi Rama. Ato bisedime (për ndarjen) filluan para 2 vitesh kur Rama ishte në Nish, por këtë e zbuluan Ëashingtoni dhe Londra”.
Shikoni pra, çfarë renegati dhe tradhtari ka Shqipëria për Kryeministër.
Rama, ky pazarxhi kufijsh po kërkon të bëjë të njëjtën gjë me kufijtë detarë të Shqipërisë.
Njeriu që i ka sjellë vetëm të këqia Shqipërisë dhe Kosovës qëndron akoma në karrigen e kryeministrit të Shqipërisë.
Për sa kohë ai është kryeministër armiqtë e Shqipërisë do të kenë mes shqiptarëve këndej dhe andej kufirit të Shqipërisë një tradhtar, që punon egërsisht vetëm për interesat serbo-ruse.
Tanimë nuk mbetet gjë tjetër veçse të ngrihemi të gjithë në këmbë për të mbrojtur edhe kufijtë detarë të Shqipërisë, të cilët sot janë më të rrezikuar se kurrë për shkak vetëm të Edi Ramës.
Tradhtarin e çertifikuar ndërkombëtarisht e njohim tashmë të gjithë, ndaj asnjë alibi dhe avokati politike, apo mediatike, nuk e shpëton dot nga kjo përgjegjësi shumë e rëndë penale e historike kryeministrin në detyrë të Shqipërisë. Faktet ulërasin, Koha është tani! Të gjithë në këmbë kundër tradhtisë”, deklaron deputeti i PL-së, Petrit Vasili.


