Kritikat për bujqësinë, Krifca i përgjigjet Braçes: E hapur për çdo bashkëpunim

Subvencionet e pamjaftueshme për bujqit dhe fermerët dhe çmimi i lartë i naftës, ishin disa nga problemet që deputeti socialist, Erion Braçe, ngriti nga foltorja e Kuvendit javën e shkuar.

Sipas tij, banorët e zonave rurale janë braktisur për shkak të keqqeverisjes, ndërsa i ka kërkuar disa herë Ministrisë së Bujqësisë që të marrë masa.

"Kërkova 1 miliard lekë plus për mbështetjen e bujqve kryesisht, 1 miliard këtë vit dhe 1 miliard për vitin e ardhshëm për të paguar naftën falas për të gjithë. Edhe për 15100 familje buqësore. 34 mijë e kanë marrë deri tani dhe është një padrejtësi e madhe që këto 15100 familje nuk do ta marrin dot më.

Është politikë e poshtër të fillosh dhe të përmendësh apo të krijosh alibi se pse nuk duhet tu japim bujqve atë që ju takon, atë që u kemi premtuar dhe atë që duhet ta merrnin sepse kanë mbjellë tokat në vjeshtë me 240 lekë për litër të naftës."

Edhe pse deri tani nuk janë marrë parasysh propozimet e mazhorancës, ministrja Krifca u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me çdo deputet të PS.

"Unë konsultoj vazhdimisht politikat tona publike me grupin e PS-së. Nuk kam pasur asnjë kërkesë të pa kthyer përgjigje. Jam shumë e hapur të dialogoj, të bashkëveproj me këdo deputet të PS-së. Aq më tepër me zotin Braçe, për të cilin kam respekt."

Gjatë seancës së fundit parlamentare, e cila u mbajt me 21 dhjetor, deputeti Braçe tha se nëse qeveria vijon me po të njëjtat politika kundrejt bujqësisë do të largohen edhe ata pak fermerë që kanë mbetur në Shqipëri.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.