Sulmet kibernetike në banka, Rama mbledh Sejkon dhe kreun e SHISH-it. Peleshi: Nuk ka siguri askush 100%

Kryeministri Edi Rama ka thirrur në zyrën e tij Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, dhe kreun e SHISH-it Oljan Kanushi.

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar mbi këtë takim, mendohet se pjesë e bisedës lidhet me sulmet kibernetike të ditëve të fundit në disa banka të nivelit të dytë në vend.

Sulmet kibernetike në banka, Rama mbledh Sejkon dhe kreun e SHISH-it.
Ne foto: Gent Sejko dhe Oljan Kanushi duke hyre ne kryeministri 27 dhjetor 2022

Nga shkallët e Kryeministrisë në përfundim të mbledhjes së Qeverisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u pyet për këtë takim.

Peleshi theksoi se ne jemi duke u forcuar si shtet për sa i përket mbrojtjes kibernetike.

Ministri i Mbrojtjes është pjesë e komitetit të mbrojtjes kibernetike dhe pa dyshim që ne jemi, sidomos pas sulmit të korrikut, kemi intensifikuar punën, kemi hartuar plane për investime dhe masa të tjera soft që nga programet e edukimit, shpërblimet për punonjësit e ekëtij sistemi. Qeveria ka miratuar bonuese dhe paga fleksibël në lidhje me to. Ne e trajtojmë çdo rast, çdo sulm, të cilët duhet thënë janë të përditshme. Ato që janë më problematike marrin meë shumë vëmendje nga publiku. Jemi të gjithë të ekspozuar, edhe sistemet private, jo vetëm ato publike.

Nuk përjashtohet asnjë operator qoftë privat apo publik nga ekspozimi ndaj këtyre sulmeve. Por unë nuk jam këtu për të folur për atë çfarë ndodh në godinën e Kryeministrisë dhe nuk ka informacion”, u shpreh Peleshi.

“Nuk ka siguri askush në sulmet kibernetike, qoftë individët, qoftë dhe institucionet. Nëse ne jemi të vëmendshëm, ne arrijmë të shmangim 90 për qind të sulmeve”, shtoi më tej Peleshi.

Po ashtu Ministri i Mbrojtjes është pyetur në lidhje me çmimin e dronëve Bajraktar, të cilët janë blerë së fundmi nga qeveria shqiptare. Por ministri refuzoi të bënte transparencën e blerjes së dronëve turq “Bajraktar”.

“Ne kemi bërë publike sit ë themi faktin që Shqipëria do të marrë një flotë dronësh, nuk mund të jap më shumë detaje duke ruajtur edhe statusin e një dokumentit të klasifikuar”, u shpreh Niko Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në komunikimin me gazetarët për vendimet e marra të qeverisë tha se ky vit ishte një vit i mirë Shqipëria u bë pjesë e mekanizmit evropian për Mbrojtjen Civile.

“Për marrëveshjen me komisionerin për Mbrojtjen për Emergjencat Civile, po gjej momentin për të theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë mekanizëm. E kemi përdorur dhe më parë këtë mekanizëm jo në cilësinë e një anëtari, por të një përfituesi. Tani do të kemi mundësi të përfitojmë nga solidariteti, por edhe stafet tona ti mbajmë më pranë. Transferojmë dijen nga vendet më të zhvilluara, trajnime e kualifikime të vazhdueshme”, tha Peleshi.