Mitrovica në rrezik, Mediu: Misioni i Serbisë për zhbërjen e Kosovës është i qartë, Shqipëria të sillet si shtet
Tensionet në veri të Kosovës, Fatmir Mediu, nuk i sheh si diçka spontane por një strategji të Kosovës të hartuar prej kohësh.
Në një intervistë për Ora News me gazetaren Anila Zyberaj, deputeti dhe kreu i Partisë Republikane thotë se është i njohur fakti se Serbia ka një plan të qartë për zhbërjen e shtetit të Kosovës.
Mediu: Nuk është një moment spontan por një strategji e Serbisë e ndërtuar prej kohësh. Para 7-8 muajsh ka dërguar në veri jo vetëm trupa por edhe mjete, përfshirë avionë ushtarakë dhe është mbështetur qartësisht nga ambasadori i Rusisë në Kosovë në atë kohë. Serbia ka një plan të qartë të interesit të vet jo vetëm për të mos njohur Kosovën por për ta zhbërë shtetin e Kosovës, ashtu siç përpiqet edhe në vende të tjera të Ballkanit për të krijuar vatra tensioni për të rritur ekspansionin serb.
Me një narrativë të qartë të mbrojtjes së interesave të serbëve ajo ka një politikë të qartë për prishjen e Federatës së Bosnje Hercegovinës nëpërmjet kërkesës për shkëputjen e Republika Srpska, tenton të minojë proceset demokratike të një vendin anëtar të NATO-s siç është Mali i Zi për të mundësuar që të drejtohet nga forca proserbe dhe proruse.
Ajo çka po ndodh në rajonin e Ballkanin nuk është thjesht një mendim i Vuçiç por një politikë e orkestruar qartë ndërmjet Moskës dhe Beogradit. Në këtë situatë si politika e Kosovës, si politika shqiptare por edhe politika e vendeve anëtare të NATO-s duhet të jetë një politikë, e cila të përcaktojë qartë risqet, problemet dhe çështjet e sigurisë në strukturat e NATO-s.
Përballë kësaj situate, ai thotë se Shqipëria duhet të sillet si shtet. Hapi i parë sipas Mediut, do të duhet të ishte mbledhja e Këshillit të Sigurisë.
Mediu: Shqipëria duhet të sillet si shtet. Nuk mundet që çështjet e sigurisë të jenë pronësi e individëve të caktuar që duan ti gjykojnë, nuk duan ti gjykojnë. Nuk mundet që drejtuesit e shtetit të shikojnë si të vlefshmëm ose jo të vlefshëm një kordinim veprimi për çështjet e sigurisë. Ne kemi një Këshill të Sigurisë Kombëtare që trajton çështjet e sigurisë, çfarë çështjesh të tjera duhet të trajtojë Shqipëria në pikëpamje të sigurisë kur nuk trajton sigurinë rajonale, për më tepër çështje të sigurisë që kanë të bëjnë me Kosovën ku afektohen drejtëpërdrejtë bashkombasit tanë.
Detyra e parë është të thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare pavarësisht nga niveli i alarmit që në mënyrë personale mund ta kenë drejtuesit e shtetit tonë. Prej kohësh Këshilli jonë i Sigurisë Kombëtare është joefektiv, nuk plotëson detyrimet e veta kushtetuese. Nuk kemi vlerësim dhe përpunim të gjithë informacioneve në mënyrë të kordinuar për ti pasuar ato në vendimmarrje shtetërore dhe jo individuale të drejtuesve të shtetit. Meqenëse nuk e kemi këtë është detyrueshme të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Është mbledhur në Kosovë, duhet të mblidhet në Shqipëri, për të parë se kush është hapi i mëtejshëm që duhet të ndjekë Shqipëria në raport me këtë çështje. Hapi i dytë është të negociojmë dhe diskutojmë me vendet anëtarë të NATO-s në vendet e Ballkanit për të arritur në një qasje të përbashkët edhe në përputhje me atë shqetësim që është ngritur në konceptin ristrategjik të NATO-s sa i përket rajonit të Ballkanit.
Ai u ndal edhe te roli i Rusisë.
Mediu: Interesat e Rusisë në rajonin e Ballkanit janë të qarta, partneriteti i Rusisë në Ballkan është i qartë, me Serbinë. Prej muajit tetor kam kërkuar që Kuvendi të bëjë një debat racional për tensionet në Ballkan. Si Serbia shpenzon 3% të buxhetit për të blerë pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina në një kohë që nuk ka asnjë kërcënim? Më bën të mendoj se këto do ti përdorë në momënte të tilla si rasti i Kosovës, apo në zhvillime që kanë të bëjnë me Malin e Zi, Bosnje.
Deputeti është i qartë kur thotë se Shqipëria nuk mund të vazhdojë të bëjë politikën e paternalizmit me Kosovën.
Mediu: Duhet të bashkërendojmë në radhë të parë me Kosovën. Kosova sot në raport me Serbinë ka burime më të forta inteligjente se Shqipëria. Nuk mund të vazhdojmë me politikën e paternalizmit me Kosovën.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
