“Tirana e 17-ta në botë për ajrin më të ndotur”, PL: Veliaj po helmon qytetarët me ndërtimet dhe trafikun
Partia e Lirisë ka reaguar ashpër lidhur me situatën e ndotjes së ajrit që po përjeton kryeqyteti shqiptar. Nënkryetari i kësaj partie, Endrit Braimllari teksa ka publikuar raportin e “ IQair”, ka akuzuar Erion Veliaj si përgjegjsëin kryesor për këtë situatë
Tirana vlerësohet si kryeqyteti i 17-të në botë për ajrin më të ndotur, sipas raportit të “IQair”, një faqe e specializuar në matjen e cilësisë së ajrit.
Teksa publikon rezultatet e raportit, nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari, deklaron se Erion Veliaj është njeriu që po helmon Tiranën dhe banorët e saj, pasi siç thotë ai, shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Tiranë janë ndërtimet pa kriter dhe trafiku i rënduar.
“Tirana renditet në vendin e 17 në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Sipas “IQair”, një faqe e specializuar në matjen e cilësisë së ajrit në botë, ditën e djeshme ajri në kryeqytetin shqiptar kishte 159 mikrogram në metër kub të grimcave PM2.5. Për të gjithë ata që nuk e dine, PM2.5 janë grimcat e imëta ndotëse të thithshme me një diametër më të vogël se 2.5 mikrometra që mund të hyjnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, kryesisht në mushkëri dhe në zemër”, shprehet Braimllari.

Sipas publikimit të Braimllarit përqëndrimi i PM2.5 në Tiranë është aktualisht 14.3 herë më shumë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit, të OBSH-së.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, evidention si shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit në Tiranë, ndërtimet pa kriter dhe trafiku i rënduar.
E sipas tij përgjegjësia për të dyja këto shkaqe bie mbi Bashkinë e Tiranës, e cila vetëm në 2021 dha më shumë se 1800 leje ndërtimi, ndërsa betonieret dhe makinat e rënda vijojnë të helmojnë qytetarët me ajrin e ndotur që lëshojnë dhe trafikun që krijojnë.
“Ndonëse ka gati 8 vite në krye të Bashkisë, pinoku i Tiranës gjithashtu nuk i ka dhënë asnjë zgjidhje trafikut, teksa makinat qëndrojnë çdo ditë me orë të tëra të bllokuara në rrugë”, thekson Braimllari.
Më tej Braimllari ndalet tek investimet që Bashkia e Tiranës ka bërë tek rrugët, duke i cilësuar të gabuara ngushtimin e tyre pa gjetur zgjidhje as për transportin urban.

