Panariti i kthehet Krifcës: Të mbështeten fermerët, nuk duhet lejuar shpërdorimi i vajit të ullirit. Nisni subvencionimet
Partia e Lirisë ka reaguar për deklaratat e djeshme të ministres së Bujqësisë Frida Krifca për mbiprodhimin e vajit të ullirit.
Anëtari i Kryesisë së kësaj force politike, Edmond Panaritit thotë se 12 mijë rrënjët e ullinjve që janë të mbjella në vendin tonë janë një pasuri e jashtëzakonshme prodhuese për bujqësinë shqiptare.
Nga foltorja e PL-së, ish-ministri Panariti tha se ky stok i vajit të ullirit duhet të shtuar sepse është një mënyrë shumë e mirë për që fermerët të përfitojnë fonde nga BE.
Panariti thotë se nuk duhet lejuar shpërdorimi i vajit të ullirit, si dhe bën thirrje që fermerët të mbështeten financiarisht për ruajtjen dhe magazinimin e vajit të prodhuar.
Partia e Lirisë propozoi që ruajtja dhe magazinimi i vajit të prodhuar të subvencionohet me pagesë fikse deri në 18 muaj, derisa tregu të stabilizohet nga mbi-oferta dhe produkti të tregtohet.
Panariti thotë se duhet të rikthehet subvencioni deri në 100 lekë për litër në dorëzim, për prodhuesit e mëdhenj dhe subvencioni për çdo pemë ulliri prodhuese për fermerin e vogël.
“Rreth 12 milionë rrënjë ullinj janë një pasuri e jashtëzakonshme e vendit. Një nga arritjet monumentale të bujqësisë shqiptare, janë kurora e gjelbër e Shqipërisë dhe një vlerë e jashtëzakonshme prodhuese, monetare dhe ushqimore për ne dhe për eksport. Ushqehen 120 mijë familje fermerë! Sigurohen afër 4 litra vaj për frymë. Jemi kampionë rajonale për ulli tavoline për frymë 10 kg dhe duhet ta çojmë në këtë nivel konsumin e vajit të ullirit sepse e kemi shumë të ulët. Ta inkurajojmë jo vetëm me promovim por edhe me instrumente fiskalë.
Ullinjtë tanë janë integruar natyrshëm në peizazhin natyror të vendit dhe një element i qëndrueshëm i ekosistemit dhe ajo që është më e rëndësishme mbi 80 përqind e ullinjve tanë janë autoktonë, endemike dhe me vlera të jashtëzakonshme dhe unike. I tillë është Kalinjoti, krypi i Beratit, bardhi i Tiranës, krypsi i Elbasanit, mixan dhe Himara, kokërr madhi i Beratit. Udhëheqin me krenari, kalinjoti i cili zë 40 përqind të plantacioneve dhe kokërrmadhi Beratit me 21%. Në të kundërtën me rrudhjen e sektorëve të tjerë të bujqësisë. Ulliri po lulëzon si simbol i begatisë dhe i paqes dhe kjo duhet të na gëzojë.
Ky stok, jo vetëm duhet ruajtur por shtuar edhe më shumë, sepse ky kontigjent është kartëvizita më e mirë e bujqësisë tonë ndaj fondeve bujare të BE kur do të na duhet të regjistrojmë dhe raportojmë numrin e ullinjve sasitë e prodhuara dhe mbi bazën e kësaj fermerët tanë të përfitojnë pagesa direkte për hektarë të mbjellë , numër rrënjësh dhe sasi prodhimi. Nuk duhet lejuar shpërdorimi i këtij prodhimi të mbarë dhe të bollshëm i vajit tonë të ullirit. Së pari duhet të mbështeten fermerët financiarisht në ruajtjen dhe magazinimin e shpejtë dhe cilësor të vajit të prodhuar. Të depozituar në kontenierë cilësorë të standardeve Evropiane të cilat shteti duhet t’ua vërë në dispozicion prodhuesve. Propozoj që ruajtja dhe magazinimi i vajit të prodhuar të subvencionohet me pagesë fikse deri në 18 muaj, derisa tregu të stabilizohet nga mbi-oferta dhe produkti të tregtohet dhe evadohet kur pas disa muajsh të ketë uri tregu. Të rivendoset subvencioni deri në 100 lekë për litër në dorëzim, për prodhuesit e mëdhenj dhe subvencioni për çdo pemë ulliri prodhuese për fermerin e vogël”, tha Panariti.

