Tenderat, “Kombinat” votash për Veliajn, 1.4 milionë euro për rehabilitimin e disa rrugëve

Tenderët për rehabilitimin e rrugëve 6 muaj para zgjedhjeve vendore nuk kanë fund në Bashkinë e Tiranës. Institucioni që drejtohet nga, Erion Veliaj, ka hapur tenderin e radhës me vlere 1.4 milionë euro, këtë herë në zonën e Kombinatit. Vetëm në dy muajt e fundit Bashkia e kryeqytetit ka shpenzuar në total 14.5 milionë euro vetëm për arnimet e rrugëve.

Tenderët e Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e rrugëve të kryeqytetit janë kthyer në një “serial” të përditshëm dy muajt e fundit.

Edhe të enjten, institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj, ka shpallur tenderin e radhës për arnimin e rrugëve të bllokut që kufizohet nga akset “Fabrika e Qelqit”, “Konferenca e Pezës”, “Besim Alla”, dhe “Jorgo Panajot”.

Të gjitha këto i përkasin zonës së Kombinatit.

Në këtë prokurim parashikohen që të shpenzohen 161 milionë lekë, ose 1.4 milionë euro, ndërsa kompania që do të marrë përsipër punimet do të duhet t’i përfundojë brenda 6 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.

Edhe ky tender parashikon që punimet të realizohen në një kohë që përkon me zgjedhjet vendore të majit, pra për investime elektorale.

Siç e ka denoncuar vazhdimisht edhe televizioni Ora Neës, prokurimet për riparimin e rrugëve të kryeqytetit kanë qenë të shumtë, ku vetëm në dy muajt e fundit Bashkia Tiranës ka bërë 13 të tilla dhe vlera totale e tyre shkon në 14.5 milionë euro.

Pas 8 vitesh në krye të kësaj bashkie, i cili është akuzuar për betonizimin e Tiranës, Erion Veliaj, mesa duket betonin e ka çuar vetëm tek kullat e kryeqytetit dhe zaptimin e hapësirave publike, ndërsa për rehabilitimin e rrugëve ka hapur thesin vetëm tani që do kërkojë vota.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.