Me xhepat e trastat bosh për fundvit

Megjithëse jemi në fundvit, lëvizjet e blerësve në tregjen duken si në një ditë normale.

Çmimet nuk kanë ndryshuar në ditët e fundit por qytetarët thonë se rritja e tyre ka nisur që në fillim të 2022.

"Treg normal, kanë qenë të shtrenjta gjatë vitit."

"Gjithë vitin shumë shtrenjtë kanë qenë."

Blerësit më shumë e vënë theksin te rritja e çmimit të mishit dhe të bulmetit, për të cilat thonë se janë bërë të papërballueshme për ta.

"Merr mishin e pulës, gjithmonë e ngrejnë me nga 200, 500 lekë. Merr djathin, ishte 8500 lekë dhe u bë 9000. Mishi nga 10 000 u bë 11 000. Me pensione nuk e përballojnë dot njerëzit."

Ndikim në xhepat e tyre kanë edhe produktet bazë të shportës, të cilat gjatë gjithë vitit kanë pësuar një rritje të ndjeshme, 100-200 lekë krahasuar me çmimin fillestar.

"Diskutohen te makaronat dhe vajrat se perime dhe frutat janë lirë. Do merrja 5 kokrra, marr 2. Po me ato si t'ia bësh?"

Çmimeve të larta qeveria ju përgjigj me shpërblimin prej 5 mijë lekë për pensionistët, megjithëse duket se shumë pak ka pasur ndikim te ta.

"Asnjë gjë nuk është. Unë jam me pension të mirë por asgjë nuk është."

"U mor dhe iku, asgjë. Do marrim ca domate."

Jo vetëm për blerësit, por ky konsiderohet viti më i vështirë edhe për tregtarët, të cilët thonë se janë detyruar të ulin dhe çmimet për të tërhequr blerësit, por me xhepat e boshatisur gjatë gjithë vitit, as kjo nuk po funksionon.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.