Tenderat "skuqin" Bashkinë Memaliaj, KLSH nuk denoncon
Zbulohen te tjera dëme në institucionet publike, por pa denoncuar përgjegjësit. Ky është standardi i vënë nga KLSH, i cili edhe në auditin e bërë në Bashkinë e Memaliajt ka konstatuar dëme në mijëra euro, por nuk ka bërë asnjë kallëzim.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ndryshuar praktikë në punën e tij, duke gjetur shkelje në institucionet publike, por duke mos i kallëzuar përgjegjësit.
Edhe në auditin e kryer në Bashkinë e Memaliajt, KLSH ka zbuluar se në 10 tendera me vlerë 176 mijë euro, janë zhvilluar në shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike.
Sipas raportit të KLSH-së, kriteret e vëna në tendera nga Bashkia Memaliaj, në lidhje me xhiron mesatare, kategoritë e licencave, e të tjera si këto, nuk janë hartuar në raport me natyrën dhe vlerën e kontratave që prokurohen.
Auditi thekson se në 4 prokurime me vlerë 317 mijë euro, kompanitë që kanë marrë tenderin, edhe pse nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara, sërish janë shpallur fituese nga ky institucion.
Gjithashtu raporti thekson së në tenderin për rikonstruksionin e ish-Kinemasë dhe ambienteve ndihmëse të Qendrës Multifunksionale në Bashkinë Memaliaj, kompania fituese ka mungesë dokumentesh.
E njëjta gjë është bërë edhe në tenderin tjetër me objekt arredimin dhe mobilimin e ish-Kinemasë, ku kompania fituese nuk i plotëson të gjitha kërkesat.
Ndërkohë që KLSH ka konstatuar shkelje edhe në këtë institucion, institucioni që drejtohet nga Arben Shehu, sërish nuk ka bërë asnjë denoncim në institucionet e drejtësisë.
Edhe kësaj radhe është ndjekur metoda duke lënë disa rekomandime në tavolinën e kryetarit të Bashkisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
