"Dështon bursa e energjisë" projekti mbetet ide, MIE: Nuk u krijuan kushtet

Qeveria shqiptare nuk ka arritur ta vendosë në funksion bursën e energjisë brenda afatit të përcaktuar. Edhe pse ishte parashikuar që të fillonte punë në nëntor, mungesa e kushteve të operimit ka bërë që afati të shtyhet pa një datë zyrtare. Në kushtet e krizës energjitike të shpallur bursa do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe konkurueshmërisë në tregun e energjisë.

Qeveria shqiptare nuk ka arritur vendosjen në funksion të bursës së enegjisë siç ishte premtuar në maj të këtij viti ndërsa nisja e operimit është shtyrë.

Në bazë të vendimit të marrë nga  qeveria, bursa parashikohej të niste në 23 nëntor 2022, ndërsa burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë shprehur se shtyrja lidhet me krijimin e kushteve të përshtatshme për të nisur aktivitetin.

Edhe 6 muaj nga vendimi i marrë, qeveria duket se ende nuk ka bërë gati të gjitha kushtet në mënyrë që të interesuarit të dinë mënyrën e funksionimit, që së pari duhet të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë rregullat e tregut.

Bordi në mbledhjen e datës 27 dhjetor pritet që ndër të tjera të diskutojë miratimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike, të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX sh.a. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë gjithashtu është shprehur se me mbarimin e trajnimeve me palët e tregut, në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm do të dalë në konkluzionin për një datë zyrtare.

Edhe pse funksionimi i bursës shqiptare të energjisë është cilësuar si jetik për rritjen e transparencës dhe konkurrencës, ajo është një nga projektet më të zvarritur të sektorit.

Bursa e energjisë është licencuar nga ERE për një afat 5 vjeçar dhe parashikohej që në muajin janar 2023 të niste tregtimin për tregun e Kosovës dhe bashkimin e të dy tregjeve me Shqipërinë.