Paratë e pista “ulin”euron
Monedha europiane ka rënë në nivele të panjohura më parë në kursin e këmbimit. Eksperti i ekonomisë, Ervin Meka, e lidh këtë situatë me të ardhurat e pa deklaruara që po futen në ekonomi dhe eurot që sjellin emigrantët, të cilat kanë rritur sasinë e kësaj monedhe në treg. Sipas specialistëve, rënia e euros do të vazhdojë nëse nuk ka reagim nga instiucionet.
Monedha europiane po shënon rënie në nivele të panjohura më parë në tregun shqiptar.
Të enjten, euro u ble me 113.6 dhe u shit me 114.3 në tregun vendas.
Eksperti i ekonomisë, Ervin Meka, sqaron se në këtë situatë nuk ka ndikuar as rritja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë, e cila ka shkuar në 2.75%, pasi luhatja e euros ka nisur më herët.
Meka: Për ironi duhet të themi se pikërisht në ditën kur Banka e Shqipërisë vendosi që mos të rrisë normën e interesit, shënohet rënia më e thellë historike e kursit të këmbimit. Importojmë më pak sasi, por vazhdojmë paguajmë më shumë çmime. Teknikisht duhet të ndodhte e kundërta, meqë paguajmë një vlerë më të madhe duhet të kemi një kërkesë më të madhe.
Meka radhit paratë e padeklaruara si një nga arsyet kryesore të rënies së euros.
Meka: Ka të bëjë me vijueshmërinë e parasë informale ose të ashtuquajturin fenomen të pastrimit të parave. Nuk do shumë mend për të kuptuar se më këtë çmenduri të ritmit të pashuar të shtimit të ndërtimeve në mënyrë të pashmangshme, rruga më e shkurtër për të pastruar paratë është kjo lloj industrie.
Numri i lartë i emigrantëve dhe eurot që ata sjellin në Shqipëri është një tjetër arsye për kursin e këmbimit të monedhës europiane.
Meka: Një nga arsyet madhore mbeten dërgesat e vazhdueshme të emigrantëve.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo ulje do të vijojë edhe në vitet e tjera nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet shqiptare.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
