KLSH asnjë kallëzim edhe pse gjen 12 milionë euro prokurime në shkelje të ligjit në Bulqizë

Auditi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar se Bashkia Bulqizë zhvilloi 12 milionë euro prokurime në shkelje të ligjit. Ky raport gjithashtu ka konstatuar se kjo Bashki nuk ka mbledhur 55 milionë euro nga kompanitë që nxjerrin minerale. Por edhe pse dëmi është i madh, KLSH sërish nuk ka bërë asnjë denoncim në organet e drejtësisë, duke e lënë përgjegjësinë në ajër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdon të zbulojë dëme nga administrata qendrore dhe vendore, por pa zbuluar përgjegjës.

Janë 21 tendera të Bashkisë Bulqizë me vlerë 1.4 miliardë lekë, ose 12 milionë euro, që sipas raportit të fundit janë zhvilluar në shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike.

Në të thuhet se kriteret nuk janë në përputhje me llojin e procedurës, ndërsa në 14 prej tyre kompanitë që kanë marrë tenderin edhe pse nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara, sërish janë shpallur fituese nga ky institucion.

Gjithashtu Auditi i KLSH ka konstatuar se Bashkia Bulqizë nuk ka mbledhur 6.3 miliardë lekë, ose 55 milionë euro qira nga kompanitë që shfrytëzojnë tokën e shtetit për të nxjerr minerale.

Raporti thekson se nga të dhënat e disponuara nga faqja zyrtare e Agjencisë Kombëtare e Burimeve Natyrore, rezultoi se deri në fund të 2021-it, 123 subjekte kanë marrë për shfrytëzim 10,851 hektarë sipërfaqe minerare. 

Ndërkohë me 111 subjekte, Bashkia Bulqizë nuk ka lidhur asnjë kontratë qiraje megjithëse aktiviteti i shfrytëzimit minerar vazhdon të kryhet nga të gjitha subjektet, për sipërfaqen përkatëse në përdorim.

Por edhe pse konstatohen disa shkelje ligjore në këtë institucion dhe me një dëm në miliona lekë, edhe pse faturën e lartë e paguajnë qytetarët përmes taksave, KLSH sërish ka vendosur të mos bëjë asnjë denoncim në institucionet e drejtësisë.

Por është mjaftuar vetëm me disa rekomandime të lëna në tavolinën e kryetarit të Bashkisë.