Këshilli miraton Buxhetin 2023: 25 mld lekë për Lushnjen
25 miliard lekë është buxheti i Bashkisë së Lushnjes për vitin 2023, që kaloi pa asnjë debat në Këshillin Bashkiak me anëtarë vetëm nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj. Në mbledhje u pranuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët e konsideruan buxhet me qëllime elektorale.
Shqetësimet e banorëve të Lushnjes për investime e shërbime të munguara, u ngritën sa për procedurë nga përfaqësuesit në Këshillin Bashkiak, para se të miratonin Buxhetin e vitit 2023.
Pa debate e asnjë kundërshti, anëtarët e Këshillit vetëm nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj, ngritën kartonat jeshilë për pro projektit të bashkisë për mënyrën si do të harxhohen 25 miliard lekë.
Përmirësimi i institucioneve të arsimit dhe infrastructura, janë prioritetet e vendosura, për vitin elektoral.
“Kemi parashikuar të hyjmë në infrastrukturë por edhe në shërbime, në gjithë teritorin e bashkisë Lushnje,” tha Eriselda Sefa.
Përfaqësues të Partisë Demokratike u pranuan në mbledhjen më të rëndësishme të vitit, por përgjigjet për shqetësimet që ngritën e morën vetëm me forcën e kartonave të shumicës së majtë.
“Ju takonte që të merrnit në konsideratë pyetjet tona dhe të na kthenit përgjigje para se të vendosnit për vendime të rëndësishme,” tha Eduart Sharka.
Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Partisë Demokratike në Lushnje, ngriti akuza se buxheti ka shkelje të rënda.
“Kanë planifikuar 11 investime rrugësh të cilët do i inagurojnë në Maj dhe do të përfundojnë në vitin 2024. Në relacion thuhej që vetëm 120 miljon lekë do shkojnë për incineratorin e Fierit, vetëm kaq,” tha ai.