Mbyllet pikëkalimi kufitar në Merdare, Ministria: Grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare

Është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdare, për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi rreth dy kilometra nga ky kufi.

Kështu njoftoi mbrëmjen e 27 dhjetorit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ‘grupet kriminale serbe’ kanë bllokuar pikën kufitare në Merdarë.

Kjo ministri ka njoftuar të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit” – thuhet në njoftim.

Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, njëra nga to në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve - vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë - dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Barrikada në këtë lagje është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.

Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.