Harron emrat e miqve dhe pagesat e faturave, zëvendësministri Bushi reagon për investigimin e RTV Ora

Lajmi i Tv Ora se zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Nazim Bushi, ka qëndruar një natë në një suitë presidenciale, e cila kap shifrën 20 mijë euro, është bërë kryefjala e mediave  maqedonase. Pas publikimit të këtij lajmi ka ardhur edhe reagimi i zotit Bushi. 

Në reagimin e tij për Klan Macedonia, zëvendësministri tenton të japë një argument por që nuk është aspak bindës.  

"Bëhet fjalë për një udhëtim privat para tre viteve, i planifikuar 3-4 juaj para se të bëhem zëvendësministër. Ishim në Turqi për intervenim mjekësor për një anëtar të familjes."

Në Turqi ka udhëtuar në tetor 2020, kurse zëvendësministër është bërë me 23 shtator të të njëjtit vit.

Duke u nisur nga fakti që zoti Bushi në 23 shtator 2020 është emëruar zëvendësministër, por në Stamboll ka udhëtuar në  tetor 2020, kjo tregon qartësisht se Tv Ora është i saktë kur shprehet se qëndrimi në hotelin luksoz ka ndodhur gjatë kohës që Bushi mbante postin e zëvendësministrit të Brendshëm të Maqedonisë së Veriut.  

Më tej zoti Bushi shprehet se:"Në apartamentin e hotelit kemi qëndruar më shumë persona, ishim mysafirë të dy miqve familjarë që janë kujdesur për akomodimin. Nuk e di se kush e ka paguar llogarinë dhe sa kushton nata, por shuma prej 20 mijë euro është e tepruar."

Çudia me e madhe qëndron në faktin se kanë qenë  dy miq familjarë të zotit Bushi që ia kanë paguar faturën, por që zëvendësministri nuk i kujton dot emrat e miqve të tij, për më tepër nuk e di se cili prej tyre e ka paguar faturën.

Për të bërë transparencë do të ishte mirë që zoti Bushi të bënte publik emrin e mikut që i ka paguar suitën 20 mijë euro nata.

Një pyetje që "Ora investigim" e ka ngritur prej ditësh por ka mbetur pa përgjigje është kjo: Personi që pagoi akomodimin në hotelin e Stambollit që zëvendësministri i referohet si mik familjar është apo jo shtetas turk? 

Por pasi shijoi luksin në suitën presidenciale, diçka për zotin Bushi është e tepruar.

"Shuma prej 20 mijë euro është e tepruar."  

Të qëndrosh në një dhomë 850 metra dhe të mos paguash asgjë nga xhepi, sigurisht që kjo shumë  mund të duket e tepruar, por nëse bën një kërkim të thjeshtë në Booking del se çmimi për suitën presidenciale është 20 mijë euro nata.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.