18 ditë tensione, barrikadat tani edhe në qytet, ministri serb i Mbrojtjes: Do të mbrojmë serbët kudo që janë
Serbët që jetojnë në Mitrovicë, për herë të parë kanë vendosur barikada në një rrugë brenda qytetit, duke vështirësuar lëvizjen të vetë banorëve. Teksa tensionet në veri janë në ditën e 18-të, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka rritur gatishmërinë e ushtrisë në kufi, me argumentin se do të mbrojë jetën e çdo serbi kudo që jeton.
Tensionet në veri të Kosovës janë ende të larta në ditën e 18-të të vendosjes së barrikadave, në rrugët që lidhin komunat me shumicë serbe me pjesën tjetër të vendit.
Teksa këtë të martë numri i tyre ka shkuar në 13-të, serbët lokalë kanë bllokuar për të parë një rrugë brenda qytetit të Mitrovicës.

Nga tensionet në veri të Kosovës, duket se përfiton edhe Serbia për të shtuar forcën ushtarake në kufi.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, ka bërë me dije mbrëmjen e 26 dhjetorit se Vuçiç ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.
Ai tha se rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria bëhet për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë.

Nga ana tjetër Këshilli i Sigurisë së Kosovës u mblodh të hënën për të diskutuar situatën. Qeveria Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.

Që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç. Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
