Osmani akuzoi lidershipin serb për tensionet në Kosovë, reagon ashpër Bërnabiq

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Është dita e 17 që barrikadat vijojnë të jenë të vendosura.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin e saj social Tëitter tha se “Lidershipi i Serbisë mund të ketë ndryshuar që nga vitet '90, por qëllimet e tyre nuk kanë ndryshuar”.

“Sulmet ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i Kosovës, nga bandat kriminale të mbështetura nga Vuçiq, tregojnë qëllimet e vërteta të Beogradit për të fshehur të vërtetën. Lidershipi i Serbisë mund të ketë ndryshuar që nga vitet '90, por qëllimet e tyre nuk kanë ndryshuar. Ata do të dështojnë. Demokracia dhe shteti i së drejtës do të mbizotërojnë.”, shkruan Osmani në Twitter.

Këto fjalë të presidentes së Kosovës nuk i kanë pëlqyer aspak kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq, madje sipas saj vendosja e barrikadave është legjitime.

“Më në fund, jam plotësisht dakord me Osmanin: do të fitojë demokracia dhe shteti i së drejtës. Prandaj barrikadat, serbët po mbrojnë të drejtën e tyre për të votuar (që ju ua keni hequr), të drejtën e tyre për një proces të drejtë (të cilën ju ua keni mohuar) dhe Marrëveshjen e Brukselit. Ata do të fitojnë dhe Kurti do të dështojë”, ka shkruar kryeministrja serbe në Twitter.