Blushi: “Rilindja” paguan 80 mijë euro në ditë për incineratorët, po nuk jep 16 mijë lekë për invalidët!
Partia e Lirisë ka dalë në mbështetje të paraplegjikëve të Elbasanit, të cilët janë futur në një grevë urie, duke kërkuar nga qeveria që i ka shpërfillur deri më sot, të mos ua përgjysmojë ndihmën financiare që u takon.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, deklaron se kemi të bëjmë me një Qeveri të pashpirt që u ka hequr padrejtësisht ndihmën mujore, duke i tallur, mashtruar dhe braktisur në hallin e tyre.
“Solidaritet dhe mbështetje të plotë për kërkesat e drejta dhe plotësisht të realizueshme të personave me aftësi të kufizuara në Elbasan që kanë hyrë në grevë urie në prag të festave të fundvitit për shkak se Qeveria e pashpirt u ka hequr padrejtësisht ndihmën mujore, duke i tallur, mashtruar dhe braktisur në hallin e tyre.
"Rilindja" që paguan 80 mijë euro çdo ditë pronarët në arrati të inceneratorëve që nuk ekzistojnë, që vjedh edhe kafshatën e jetimëve, që zhvat miliona euro me koncensione, PPP, tendera sekretë dhe rrugë të florinjta, por që nuk jep 16 mijë lekë në muaj për invalidët nuk meriton më asnjë ditë të qëndrojë në pushtet”, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi.

