Vdiq në burg, Qeveria i jep 13 450 euro vëllait të viktimës pas vendimit të Strasburgut
Qeveria shqiptare ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 11.6.2019, për çështjen “Prizreni kundër Shqipërisë”.
Çështja ka të bëjë me vdekjen e një të burgosuri gati 10 vite më parë, për trajtimin e të cilit gjykata e Strasburgut e gjobiti Shqipërinë me 12 mijë euro.
Shpëtim Karadakliu vuante nga elefantoza nuk ju ofrua ndihmë mjekësore në qeli, ndërsa pas vdekjes së tij i vëllai ju drejtua gjykatës evropiane.
Ndërkohë, shteti shqiptar duhet të paguajë 13 450 euro Fatos Prizreni, dhe shuma do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2022.
Vendimi:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 11.6.2019, për çështjen “Prizreni kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.29309/16, përfundimtar në datën 11.9.2019, në shumën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) euro në lidhje me dëmin jopasuror, si dhe në shumën 1 450 (një mijë e katërqind e pesëdhjetë) euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fatos Prizreni, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 11.6.2019, “Prizreni kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.29309/16.
4. Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fatos Prizreni, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
5. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 12.12.2019, deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2022.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

