Shërbimet në Kadastër kalojnë vetëm online përmes e-Albania, shërbimet do jenë vetëm në mënyrë digjitale
Kërkesa për shërbime kadastrale pranohet vetëm online, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Qeveria miratoi sot rregullat për procedurën e trajtimit të kërkesave për shërbime kadastrale nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Kërkesat paraqiten nga pronari i pasurisë së paluajtshme, titullari i një të drejte reale apo personi fizik/juridik, që ka një interes të ligjshëm mbi një pasuri të paluajtshme apo nëpërmjet përfaqësuesit, sipas dispozitave të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, si dhe nga noteri.
Me dërgimin e kërkesës për shërbime kadastrale, ajo regjistrohet në mënyrë automatike në regjistrin elektronik të kërkesave dhe trajtohet nga drejtoria/zyra vendore e ASHK-së, sipas kompetencave
Trajtimi i kërkesave për shërbime kadastrale bëhet në mënyrë kronologjike, dhe llogaritja e afateve për marrjen e këtyre shërbimeve fillon nga e nesërmja e ditës së konfirmimit bankar të pagesës së tarifës së shërbimit.
Për kërkesat për shërbime kadastrale, për të cilat është njoftuar subjekti për kryerjen e pagesës së tarifës së shërbimit dhe nuk është konfirmuar kryerja e saj, ASHK-ja njofton subjektin për mosofrimin e shërbimit.
Në varësi të llojit të shërbimit kadastral, kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës tekniko-ligjor. Ky i fundit ngarkohet me nënshkrim elektronik kur përcillet nga institucionet shtetërore dhe si kopje elektronike kur përcillet nga kërkuesi, vetë apo nëpërmjet përfaqësuesit të tij. Kur dokumentacioni shoqërues ngarkohet vetëm si kopje elektronike, ai përcillet edhe nëpërmjet shërbimit postar pranë drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së.
Menjëherë me administrimin e dokumentacionit nëpërmjet shërbimit postar, ai i nënshtrohet digjitalizimit të plotë nga drejtoria/zyra vendore e ASHK-së dhe, vetëm pas këtij procesi, ajo ka të drejtë të trajtojë kërkesën për shërbim kadastral në përputhje me afatet ligjore.
Drejtoritë/zyrat vendore të ASHK-së ofrojnë vetëm në mënyrë digjitale shërbimet kadastrale për të cilat është kryer konfirmimi i pagesës së tarifës, sipas afateve të miratuara. Ato pranojnë kërkesën duke dhënë shërbimin kadastral ose kërkojnë plotësimin e mangësive të dokumentacionit, sipas pikës 26, të vendimit nr.782, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”.
Shlyerja e pagesave të tarifave për shërbime kadastrale bëhet në llogarinë bankare të drejtorisë/zyrës vendore përkatëse të ASHK-së
Po kështu shfuqizohet vendimi nr.376, datë 6.6.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e lëshimit të dokumenteve nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

