PL publikon studimin: Veliaj e mbyti Tiranën me beton, 1900 leje ndërtimi në 2022-in

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari deklaron se Bashkia e Tiranës po shërben si burim i pastrimit të parave të krimit dhe drogës.

Teksa publikon një studim të realizuar nga PNUD, Braimllari thekson se zhvillimi urban i Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj është aq kaotik dhe paradoksal sa ka vënë në vështirësi për t’i dhënë shpjegim edhe ekspertët ndërkombëtar.

“Një studim i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara UNDP thekson se ndërsa popullsia vijon të tkurret në mënyrë të frikshme, lejet e ndërtimit të dhëna nga kryehajduti i Tiranës vijonë të rriten në mënyrë të paparashikuar.

Sipas këtij studimi burimet e kërkesës së madhe për leje të reja ndërtimi janë të paqarta pavarësisht se stoku i tyre është rritur.

PL publikon studimin: Veliaj e mbyti Tiranën me beton, 1900 leje

Nga rreth 3 mijë leje ndërtimi të dhëna në vitin 2021, mbi 62 për qind e tyre i ka dhënë vetëm Erion Veliaj, duke u konfirmuar edhe një herë si kryebashkiaku i betonit.

Por ajo që është më shqetësuese sipas këtij studimi është fakti që në Shqipëri, dhe në mënyrë të veçantë në Tiranë, nuk ka kërkesë tregu për këtë rritje të ndërtimeve të reja.

Pra Veliaj ka thyer edhe rregullin bazë të tregut, ku ballafaqohet kërkesa dhe oferta.

Edhe më paradoksale është gjetja e këtij studimi se, ndonëse tregu nuk ka kërkesë për një shtim kaq të madh të ndërtimeve të reja, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me 102 për qind dekadën e fundit, një rritje, që në studim cilësohet si e shpejtë dhe e paprecedent.

Studimi thekson se çmimet e banesave në Tiranë janë trefishuar krahasuar me vetëm pak vite më parë, teksa çmimi mesatar i shitjes së tyre në shtator 2022 ishte 1,365 €/m2.

Sipas këtij studimi banesat nuk janë të përballueshme për një pjesë të rëndësishme të familjeve të kryeqytetit dhe kushdo do të blinte një të tillë fare lehtë do të kalonte nën nivelin e varfërisë.

Ndaj thekson studimi është e paqartë se si janë financuar shumica e ndërtimeve në Tiranë në kushtet kur kërkesa për banesa është mjaft e ulët dhe kur stoku i ndërtimeve të pashitura është rritur me 27 për qind.

Kjo ka vetëm një shpjegim që nuk ka të bëjë fare me rregullat e tregut dhe që vërteton edhe një herë shqetësimin e opozitës se me lejen e kryehajdutit të Tiranës, në kryeqytet po pastrohen lekët e krimit dhe të drogës.

Ndaj largimi i kryebashkiakut të betonit është bërë një domosdoshmëri për t’i kthyer Tiranës frymëmarrjen dhe qytetarëve bashkinë.

Prandaj 14 maj është një ditë e rëndësishme për kryeqytetin”, shprehet nënkryetari i PL-së, Endrit Braimllari.