Morinë, shqiptarët nga Kosova tentojnë të futen në Shqipëri me 28.500 €

Policia në pikën kufitare të Morinës ka proceduar penalisht dy persona pasi u kapën duke kaluar kufirin me 28 500 euro të padeklaruara.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip "Volkswagen", me drejtues shtetasin D. R. dhe pasagjer shtetasin D. Sh. 

"Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur shtetasit D. R., 12 400 euro, ndërsa shtetasit D. Sh. i kanë gjetur 16 100 euro, të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi," njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 28 500 euro.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. R., 24 vjeç dhe D. Sh., 20 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë". 

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.