Alarmi për kontratat koncesionare, Tola: Në Shqipëri luftë kush do të jetë në listën e të privilegjuarve të pushtetit

Banka Botërore por dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar së fundmi ka ngritur shqetësimin për kontratat koncesionare dhe kontratat e partneritetit publik të dhëna nga qeveria shqiptare duke theksuar se ato nuk monitorohen dhe shpesh kanë krijuar probleme në ekonomi.  

Igli Tola ekspert ekonomie foli rreth këtij shqetësimi të ngritur nga institucionet ndërkombëtare në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj.

Sipas Tolës Alarmi nis nga problematika të lidhura në mënyrë konstante me ekonominë tonë siç është korrupsioni, klientelizmi e kështu me radhë, por tashmë vijon pasi problematika vjen duke u zgjeruar.

Ai e quan fatkeqësi faktin që “në fund të 2022 kompani të mëdha janë ato që i merren me vepra publike nuk merren me veprimtari ekonomike normale por i ofrojnë shërbime shtetit.”

Igli Tola: Është një shqetësim që BERZH, Banka Botërore i kanë pasur në çdo raport ku kanë bërë pasqyrimin e ekonomisë shqiptare. Është një shqetësim i cili po të krahasojmë raportin e konstatojmë vetëm në vendin tonë. Koncensionimi kryesisht në infrastrukturën rrugore duket të jenë në fokusin e qeverisë dhe pse institucionet ndërkombëtare i kanë shpallur me alarm të lartë. Alarm i cili nis nga problematika të lidhura në mënyrë konstante me ekonominë tonë siç është korrupsioni, klientelizmi e kështu me radhë, por tashmë vijon pasi problematika vjen duke u zgjeruar.

“Ka raste që për një rrugë ekzistuese faturohet sikur e gjitha do të bëhet prej fillimi sipas kritereve europiane. Kostot në një kontratë PPP-je janë afatgjata. Çdo vit faturat për kontratat koncensionare dhe PPP-të vjen duke u faturuar. Në Shqipëri lufta është se kush do të jetë në listën e të privilegjuarve të pushtetit të radhës. Që në momentin që është në këtë listë ai do të ketë copën e luanit në tortën e të ardhurave publike. Është fatkeqësi që në fund të 2022 kompani të mëdha janë ato që i merren me vepra publike nuk merren me veprimtari ekonomike normale por i ofrojnë shërbime shtetit.”