Hekurudha Durrës-Prishtinë, tenderi 1.7 mln € i studimit të fizibilitetit denoncohet në KPP

Tenderi për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, është denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike. Tenderi i shpallur nga Hekurudha Shqiptare kap vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërsa ankimimi i tij vjen pak ditë para shpalles së fituesit.

Tenderi për studimin e fizibilitetit të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, është denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Ankimimin e ka bërë një nga kompanitë pjesëmarrëse, pak ditë para se të mbyllej gara dhe të shpallej fituesi.

Në faqen zyrtare të KPP-së, shihet regjistrimi i ankesës ndërsa ende nuk janë publikuar dokumentacioni argumentues i subjektit denoncues.

Prokurimi me vlerë 200 milionë lekë, ose 1.7 milionë euro është hapur nga Hekurudha Shqiptare SH.A, shoqëri kjo nën varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, konsiderohet si një rëndësi e veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi do të mundësojë një zhvillim të shpejtë të transportit hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave.

Në dokumentet e tenderit, thuhej se përmes kësaj linje hekurudhore shkëmbimi i transportit të mallrave ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit më të gjerë, do të rritet ndjeshëm për shkak të kostove më të ulëta.

Gjithashtu zhvillimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve, si dhe ofron alternativën më të mirë dhe më të favorshme për lidhjen më të shkurtër të rrjetit hekurudhor të Shqipërisë me korridorin hekurudhor 8, dhe me korridorin hekurudhor 10.

Por denoncimi i tij në KPP, ngre hije dyshimi se kriteret e vëna në tender, mund të kenë cënuar konkurrencën dhe garën e drejt.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.