Kriza nuk ndikoi te shqiptarët, sipas qeverisë. INSTAT: Konsumi i tremujorit të tretë të 2022-it u rrit me 4.6%

Edhe pse shqiptarët po përballen me krizën më të thellë ekonomike prej muajsh, qeveria thotë se konsumi në Shqipëri gjatë tremujorit të tretë të 2022-shit, është rritur në krahasim me vitin 2021. Të dhënat e ofruara së fundmi nga INSTAT, raportojnë se shitjet me pakicë janë rritur me 4.6%, që nga hidrokarburet, ushqimet dhe për artikujt e tjerë.

Qeveria shqiptare thotë se kriza ekonomike nuk ka ndikuar aspak sa i përket konsumit të shqiptarëve, madje ajo thotë se  shitjet me pakicë janë rritur me 4.6% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të dhënat e një viti më parë.

Sipas Institutit të Statistikave, institucion ky në varësi të këshillit të Ministrave, edhe në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2022, shitjet me pakicë kanë pësuar rritje me 1.6%.

INSTAT njofton se në grupin tregti të hidrokarbureve, volumi i shitjeve është rritur me 3.9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021.

Në grupin ushqime, pije, duhan volumi i shitjeve është rritur me 4,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021.

Ndërkohë volumi i shitjeve për grupin artikuj jo-ushqimorë është rritur 4.6%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Ndërsa sa i përket ndryshimit tremujor të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin tregti me pakicë, pa hidrokarburet, është rritur me 2.9%, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Ndërsa ushqimet, pijet, duhani shitjet e përshtatura sezonalisht janë rritur me 1.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë.

Ndërsa në tregtinë me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara volumi i shitjeve i përshtatur sezonalisht është rritur me 3.2%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2022.

Rritja e konsumit, shoqëruar gjithashtu me rritjen e çmimeve, është një tregues tjetër i rritjes të të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.