Spiropali “harron” Ramën, i kthehet Berishës: Ti e përdor gjuhën si shpatë, të zbatohet rregullorja se na shohin fëmijët

Ashtu sikurse është bërë zakon, është ministrja socialiste Elisa Spiropali ajo që i kthen përgjigje kreu të PD-së Sali Berisha në Kuvend.

Ajo ka replikuar sot me të duke thënë se Berisha nuk mund të flasë për etikë, pasi sipas saj ai ka qenë personi i cili nuk ka kursyer as nënat dhe baballarët e politikanëve kundërshtarë.

Ajo shtoi se kuvendi po shikohet edhe nga fëmijët duke përdor fjalor të tillë, dhe kërkoi që të respektohet rregullorja, por harroi të kishte kritika për kryeministrin Rama.

Spiropali: Ai që e ka përdorur gjuhen si shpatë në mish pushtuesi pa pikë kulture dhe nuk ka pasur droje e kufizime as për nëna e baballarë. Je sjellë si kokosh por sot je më pak se një thelë. Nuk e kuptoj kur ju i nxirrni ato fjalë, e thatë vetë, hajdut, ordinerë, brutal, i dhunshëm, tualet, i gojës, etj., etj. Unë do të doja që një ish-kryeministër e ish-President i vendit tim të ishit këtu në lartësinë që nuk e patë kurrë as kur ishe në detyrë. Nuk mund ta kthejmë këtë Kuvend në këtë… s’ka rëndësi, është burrë, është grua.

Na dëgjojnë fëmijët tanë duke i thënë njëri-tjetrit fjalën e fundit. Rregullore që përmendni ta hedhim atje ku thatë ju sepse nuk ka kuptim. Këtu edhe kur nuk jeni ju është zëvendësi juaj, presim të lirojë ai foltoret, s’flet dot për bujqit, për mësuesit, sepse do të dilni dhe do të mbroni edhe iranianët ndonjë ditë. E keni parim ju, armiku i armikut tim, është miku im. Ju edhe për Zotin do dilni e do të thoni ndonjë gjë, unë kaq kisha se unë debatet me ju kam një vit që i bëj këtu dhe nuk është një kënaqësi e madhe. Unë kërkoj që rregullorja të zbatohet një më një, të ruajmë dinjitetin, jo të Ramës, as të Berishës.