"Jetën e japim, votën jo", Berisha nga Kavaja: Askush s'do mund të luajë më me votën e shqiptarëve
Në 32-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Kavajë, kryedemokrati Sali Berisha u zotua se bashkë me demokatët do të mbrojnë votën, edhe me jetën e tyre nëse do të jetë nevoja.
Berisha tha se askush nuk do të mund të luajë me votën e shqiptarëve.
Berisha: Sot ne jemi në shumë aspekte në një situatë tejet të komplikuar. Sot kemi përballë një regjim që njëlloj si ai që përmbysëm në vitin 1990, nuk pranon votën, nuk do që shqiptarët të përcaktojnë me votën e lirë. Sot kemi një qeveri e cila ka shndërruar të gjithë makinerinë shtetërore, për blerjen, bluarjen, thërrmimin, shkatërrimin e votës, duke shkelur çdo ligj, çdo parim të një shoqërie të lirë.
Sot përballë kemi një qeveri që ka rikthyer sistemin e patronazhistëve njëlloj si dikur, sistemi i patronazhistëve të frontit demokratik ç’njerëzor. Celula të përbashkëta me sigurimin e shtetit që terrorizonin qytetarët para se të votonin. Sot kemi një qeveri e cila me banda, para krimi dhe droge, blen qindra, mijëra vota. Por sot ne jemi më të vendosur se kurrë për këtë betejë.
Revolucioni ynë, pas rikthimit të lirisë brenda PD-së, votës së lirë brenda PD-së, do të ju rikthejë shqiptarëve votën e lirë dhe nuk ka forcë në botë që të na pengojë ne.
Demokrate e demokratë, ky është misioni ynë. Ne jemi dhe do të mbetemi njerëz të lirisë. Ne jemi dhe do të mbetemi luftëtarë të lirisë. Ne do të ecim përpara me moton, jetën e japim, votën nuk e japim. Askush nuk do të mund të luajë më me votën e shqiptarëve.
Pse po ikin shqiptarët, pse po braktisin Shqipërinë, Kavajën. Sepse vrasja e votës, vret shpresën. Sepse nuk besim tek liria. Se po nuk ka votë, nuk ka drejtësi, nuk ka liri, nuk respekt, nuk ka dinjitet, perspektivë dhe të ardhme.
Berisha vlerësoi edhe një herë primaret si çelësin e suksesit për të marshuar drejt fitores me 14 maj.
Berisha: Ne zgjodhëm qytetarët tanë të parë me votën e lirë.Imagjinoni se si janë ata që dalin nga shpella që i emëron Edi Rama me byronë e tij politike mbi bazën e ryshfetit, të diktatit të krimi, bazën e parave që paguajnë, parave që mbledhin nga droga dhe krimi. Kukulla të mjerimit. Këtë e bëmë, hapin tjetër do ta bëjmë ne. Ne do të bëjmë që shqiptarët të votojnë të lirë. Prandaj dhe këtë përvjetor ta përdorim për një betim solemn që do ti japim vendin që meriton cilit do që guxon të luajë me votën e shqiptarëve.
Sot të ardhurat, pasuritë publike të pafundme janë shndërruar në një mallkim për qytetarët shqiptarë. Sot ato janë shndërruar në një parajsë për qeveritarët. Mashtrimi është bërë ligj, mjerimi thellohet çdo ditë. Duhet të shumfishojmë forcat, duhet të bëjmë gjithçka që Kavaja të rikthehet siç ka qenë, bastion i fuqishëm i lirisë, demokracisë, dinjitetit të qytetarëve të saj. Ndaj dhe duke përgëzuar fituesin e garës, z. Fisnik Qosja, falënderoj me shumë respekt Isa Sakjen, këtë personalitet të PD-së dhe e ftoj të vazhdojmë së bashku betejën, për fitoren e 14 majit.
Berisha theksoi se misioni i demokratëve është ta shndërrojnë PD-në në një parti të fitores.
Berisha: Demokrate e demokratë, detyrë dhe misioni ynë është të fitojmë, të shndërrojmë PD-në në një parti të fitores, ta shndërrojmë lirinë, votën e lirë në një pasuri të paprekshme për çdo shqiptar. Të ecim të sigurtë drejt të ardhmes tonë. Të bëjmë gjithçka që të rinjtë tanë, jo vetëm këta që janë këtu, por edhe ata që janë larguar të rikthehen në vendin e tyre.
