Mitsotakis në Himarë, Anila Denaj: Marrëdhëniet Shqipëri - Greqi janë përmirësuar shumë kohët e fundit

"Shqipëria është e detyruar të respektojë të drejtën tuaj për vetëvendosje".

Ky ishte mesazhi i fortë që dha sot kryeministri Kyriakos Mitsotakis për minoritetin grek në Shqipëri.

Anila Denaj, deputete e zonës, e cila shoqëroi në këtë vizitë shefin e qeverisë greke, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma shmangu komentet për deklaratën, duke thënë se të drejtat e minoritetit janë të sanksionuara në ligjin shqiptar.

Denaj: Kemi bërë një reformë territoriale të 2014 dhe bashkia e Finiq ka një territor të rëndësishëm dhe të drejtat janë të sanksionuara në ligj. Nuk dua të jap një koment për atë që Mitsotakis ka thënë por dua të them atë që është e sanksionuar në ligjin shqiptar ku të drejtat e minoritetit janë të njohura. Ne kemi 9 grupe minoritare dhe të gjitha janë të mirëpërfaqësuara. Unë nuk mendoj se ka çështje që mund të adresohen përtej asaj që dhe në Censusin që është parashikuar të bëhet dhe do të ndodhë dhe vetëdeklarimi është pjesë e njohur dhe kërkesë e BE. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe këtë e ndjej sa herë shkoj në atë zonë. Sigurisht çështja e pronave është një çështje që u adresua sot.

Sa i takon njohjes së pensioneve, ajo tha se vullneti ekziston por është çështje buxhetore.

Denaj: Janë bërë grupet e para të punës për të filluar diskutimi në bazë teknike. Sigurisht janë çështje buxhetore. Dhe Greqia vjen nga një situatë krize, është punë në proces. Edhe çështja e detit dhe të tjera janë punë në proces.

Denaj insistoi se nuk duhet të ngatërrojmë gjithë marrëdhënien në një vizitë.

Denaj: Vizita ishte e shkëlqyer. Jemi dy deputetë në atë zonë dhe ndjejmë se përditësia jonë është pa konflikte. Vizita sot ishte rikonfirmim i saj. Marrëdhëniet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme janë përgjegjësi e ministrave të fushës.

Pyetjes se pse nuk ishte i pranishëm kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, deputetja socialiste i dha këtë përgjigje.

Denaj: Nuk mund të jap një përgjigje se nuk kam qenë pjesë e protokollit. Kryetari i bashkisë së Dropollit ishte, i Finiqit ishte. Do të duhet të pyetet vetë përfaqësuesi, nuk mendoj se është çështje për të cilën duhet të ngremë një tymnajë.Vizitat minoritare janë ato të Dropullit dhe Finiqit, nuk duhet të ngatërrojmë disa elementë në këtë aspekt.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.