KLSH agresion ndaj medias, Arben Shehu i vërsul ekipit të Ora News “xhandarët” e tij dhe policinë

Arben Shehu, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vërsul punonjësit e tij dhe policinë, gazetarëve që kërkojnë transparencë për shkeljet në institucionin e ngritur për audit të abuzimeve në administratë. Materiali në vijim ju sjell të verifikuar atë që i ndodhi grupit të xhirimit të ekipit të Ora News, që kërkonte vetëm transparencë nga KLSH, ndërsa u përball me agresion dhe fyerje nga njerëzit e kryetarit, Arben Shehu . Për mungesë transparence nga KLSH televizioni i është drejtuar me një ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Refuzimi i vazhdueshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të publikuar listën e punonjëve të këtij institucioni, ka bërë që grupi i xhirimit të Ora News të kryejë investigimet e saj.

Por qëndrimi i gazetarëve para KLSH solli shqetësime, duke shfaqur forma agresiviteti ndaj gazetarëve të televizionit.

Këto janë pamjet e një prej zyrtareve të KLSH, që humb kontrollin dhe del jashtë staturës institucionale, duke kërkuar largimin e grupit të xhirimit. Njëherësh ajo orienton gazetarët e Ora News, se në cilin institucion shtetëror, duhet të shkojnë për të vijuar investigimin.

Punonjesja e KLSH: “Shkoni në kryeministri, ata të kanë mbyllur TV, jo këtu. Ordinere!”

Drejtuesi i institucionit Arben Shehu, duket se ka lëshuar të besuarit e tij për të krijuar situata presioni dhe fyese ndaj gazetarëve të “Ora News”.

Por jo vetëm kaq, Arben Shehu duket se ka kërkuar dhe ndihmën e policisë.

Efektivët e komisariatit nr-1 në kryeqytet, kërkuan largimin e ekipit të xhirimit duke pretenduar për perimetër sigurie.

KLSH agresion ndaj medias,  Arben Shehu i vërsul ekipit të Ora News

Por kjo nuk i ndaloi gazetarët të vijonin punën pavarësisht kërcënimit se nëse nuk largohen do ti shoqëronin në komisariat. Por përse duhet një veprim i tillë dhe pse u kërkua një mbrojtje nga gazetarët të cilët armën më të fortë kanë mikrofonin.

Por nëse shefi i komisariatit nr 1 Petrit Halo, nuk e di misionin e gazetarëve ne po ja rikujtojmë, duke i kujtuar gjithashtu të mos shantazhojë gazetarët e të mos keqpërdorë postin, që ka për interesa të Arben Shehut .

Gjithsesi puna jonë do të vijojë, pavarësisht presioneve dhe shpresojmë që kjo video të mbërrijë dhe tek Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi e të merren masa ndaj këtyre punonjësve të policisë, të cilët abuzojnë me detyrën.

KLSH agresion ndaj medias,  Arben Shehu i vërsul ekipit të Ora News
Ora News ka kërkuar informacion tek titullari i KLSH, që prej muajit tetor 2022 i cili refuzon në mënyrë të përsëritur dhënien e përgjigjeve.

Me të njëjtën arrogancë drejtuesi i KLSH, është sjellë edhe në muajin nëntor, ku për herë të dytë refuzon të japë një përgjigje zyrtare lidhur me listën emërore të punonjësve të këtij institucioni.

Për shkak të neglizhencës së qëllimshme nga ana e drejtuesit të KLSH-së, televizioni i është drejtuar me një ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke kërkuar detyrimin e KLSH të kthejë përgjigje zyrtarisht.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.