Greqia flet për “Detin”, Shqipëria “mbyll gojën” për çështjen çame

Shqipëria dhe Greqia shprehën sërish gatishmërinë për një kompromis mbi përmbajtjen e kërkesës, që do t’i dërgohet Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me çështjen e shenjimit të zonave detare midis tyre.

Kështu nis raportimi i “Zërit të Amerikës” lidhur me vizitën e djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias në Tiranë.

“VOA” thotë se për të dytën herë brenda vitit, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi Tiranën, ku sërish në qendër të diskutimeve ishte çështja e delitimit të zonave detare midis dy vendeve.

“Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord para dy vjetësh që ta kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Për këtë palët duhet të përcaktojnë paraprakisht pikat e mosmarrëveshjeve mes tyre, për të cilat duhet të kërkojë interpretimin e gjykatës.

Nga ana e tij ministri grek Dendias kërkoi përsëri hapa konkretë dhe më të shpejtë për ta përmbyllur këtë fazë.

Ai tha se zgjidhja e kësaj çështjeje, zgjidhja e ligjit të luftës dhe dy marrëveshjet e tjera, për shmangien e episodeve në kufi dhe për mirëmbajtjen e piramidave kufitare, do t’i nisin një mesazh komunitetit ndërkombëtar, që e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare e detit është ajo që përbën bazën e të gjitha diferencave ndërshtetërore.

Deklarimet e dy ministrat për zonat detare dhe shelfit kontinental janë të ngjashme me ato që ata bënë disa muaj më parë gjatë takimit mes tyre në Tiranë.

Por atëherë ministri grek përdori paralajmërime kërcënuese ndaj Shqipërisë, pasi ministrja Xhaçka ngriti çështjen e të drejtave të njeriut dhe ato pronësore të komunitetit çam në Greqi. Sot zonja Xhaçka nuk e përmendi sot publikisht këtë çështje.

Të dy diplomatët pohuan mirëkuptimin mes tye për heqjen e ligjit të luftës, zgjerimin e bashkëpunimit, ndërsa shpjeguan qëndrimet mbi situatën në Ballkanin perëndimor dhe më tej, mbi situatën e sigurisë në Europë”, thekson në raportimin e tij “Zëri i Amerikës”.