“Veliaj jep 1.1 milionë euro për asfaltin elektoral në 2 rrugë”

Partia e Lirisë akuzon kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se ka nisur që tani fushatën e asfaltit elektoral, i cili zhduket pas çdo shiu që bie.

Nënkryetari i PL-së, Endrit Braimllari përmes rrjeteve sociale thekson se në funksion të zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm, Veliaj jep 1.1 milionë euro për dy rrugë në kryeqytet.

“Në Tiranë fillon asfalti elektoral.

Çdo gjë në funksion të zgjedhjeve, Veliaj jep 1.1 milionë euro për dy rrugë.

Pasi për vite me radhë dha qindra leje për kulla betoni, kreu në ikje i Bashkisë së Tiranës është kujtuar më së fundi edhe për të përmirësuar infrastrukturën urbane dhe atë rurale.

Në prag të zgjedhjeve vendore, bashkia e tij ka ndërmarrë fushatën e asfaltit elektoral, i cili zhduket pas çdo shiu që bie.

Së fundmi, bashkia e Veliajt ka shpallur dy prokurime për restaurimin e dy rrugëve të tjera të kryeqytetit me vlerë totale 129 milionë lekë, ose 1.1 milionë euro.

I pari është për restaurimin e rrugës së “Malësorëve”, ku Bashkia do të shpenzojë 607 mijë euro dhe i dyti është për restaurimin e rrugës tek Liqeni i “Çerkezës” me vlerë 524 mijë euro.

Të dyja këto rrugë duhet të përfundojnë brenda 6 muajve, pra fiks për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Një praktikë e dalë boje kjo e pinokut të Tiranës, i cili ende në 2022 kërkon të mashtrojë qytetarët me asfaalt.

Koha e llogaridhënies po afron, bashkia do i kthehet qytetarëve”, shprehet nënkryetari i PL-së, Endrit Braimllari.