Berisha porosit Këshillin Kombëtar: Zbrisni te seksionet, ndani punët dhe organizohuni! Rama do marrë mësimin që meriton

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Sali Berisha u kërkoi anëtarëve  të zbresin në terren te seksionet.

Ai tha se për 14 majin kanë gati kandidatët më të mirë të zgjedhur nga vota ndaj tani sipas tij duhet punë dhe riorganizim.

Theksin e vuri dhe te hapja por kërkoi shmangien e drejtimeve në rang familje apo familjesh.

Berisha: Secili prej jush, çdo anëtar i kryesive tuaja, grupeve tona të punës ka një vend kryesor dhe ai vend është tek seksioni. Të kthehemi te seksioni të gjithë, të takohemi, bëjmë bilance, të riorganizohemi aty ku nuk jeni, të shkëputemi nga çdo lloj fiktiviteti. Ne me këtë mund të kompensojmë dhe të përballemi me regjimin. Kanidatët i kemi të zgjedhur në mënyrën më demokratike, kundërshtari është i tmerruar nga kandidatët tanë dhe procedurat që kemi ndjekur.

Por këto nuk mjaftojnë. Duhet organizim i fuqishëm. E kemi diskutuar shumë herë këtë çështje, do ta diskutojmë gjithnjë. Fillohet menjëherë me ndarje pune për çdo seksion të deleguarin, verifikimin, zgjerimin dhe hapjen. Nuk mund ti mohojmë një demokrati apo demokrateje që familjarët e tij apo të saj të jenë anëtarë të PD, hiqeni nga mendja këtë. Janë të mirëpritur. Se janë një familje shumë mirë janë. Ne nuk mund të lejojmë seksionin të jetë një familje apo dy familje. Duhet të shtrihemi në territor.

Mënjanë sipas tij nuk duhet të lënë as betejën me kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.

Rama: Ndeshjen e fuqishme në këto zgjedhje do ta fitojmë ne, por krahas saj ne kemi dhe betejën me Edi Ramën për ti dhënë atij mësimin që meriton përpjekjen që bën për të zhdukur PD përmes pazareve të turpshme, të paimagjinueshme të një grushti njerëzish të marrë peng, që nuk kanë ligj as moral. Duhet të bëjmë gjithçka për një fushatë elektorale të fuqishme, për një mbështetje të plotë dhe totale të kandidatëve tanë të cilët i kemi përfaqësues të denjë të qytetarëve shqiptarë dhe jo të mafies, mashtrimit dhe vjedhjes.

Shikoni çfarë bëhet për bashkinë e Tiranës, si e sulmojnë njëri-tjetrin. Ne ja lamë anëtarësisë.

Teksa uroi festat e fundvitit, ai tha se shpreson që "vitin e ardhshëm ta shndërrojmë në një vit të madh shprese, besimi dhe fitoreje për Shqipërinë dhe shqiptarët".