Vrasja për vota në Elbasan, shtyhet sërish gjyqi për Arbër Paplekajn

Gjykata e Elbasanit nuk po arrin të nisë gjykimin me themel të dosjes ndaj Arbër Paplekajt, ish-efektivit të forcës RENEA të akuzuar për vrasjen e eksponentit të Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani, 4 ditë para zgjedhje të 25 prillit 2022.

Kjo pasi është shtyrë sërish gjyqi për Paplekajn, dhe shkak i shtyrjes së radhës, mësohet se është bërë pasi trupi gjykues vlerësoi të nevojshme të marrë kohën e mjaftueshme sipas ligjit për të shqyrtuar kërkesat paraprake të paraqitura nga avokatët e të pandehurve, si edhe t’i jepet kohë për t’u njohur me shpjegimet e prokurorëve të kësaj çështje.

Ndërkaq as vetë i akuzuari Arbër Paplekaj edhe këtë herë nuk ishte në sallën e gjyqit.

Ngjarja që përgjaku fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021, duke krijuar edhe një përplasje politike  u shënua më 21 prill në lagjen 5 Maji.

Anëtarë të Strukturës së PD për mbrojtjen e Votës, pjesë e të cilës ishte edhe Arbër Paplekaj ndaluan aty Mehmet Grecën të cilën e akuzonin se po blente vota për llogari të Partisë Socialiste.

Debatet përshkallëzuan në përplasje me armë, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, me profesion mjek dhe i njohur si aktivist i Partisë Socialiste. Të plagosur mbetën Eltjon Bodinaku 32 vjeç; Emiljan Prenga, 39 vjeç; Pavlo Vuksani 50 vjeç, dhe punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe.

Ish nën drejtorët e policisë vendore, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, janë nën hetim pasi akuzohen se dështuan të parandalonin përplasjen e dy grupeve, ndërsa 6 efektivë të Forcës Shqiponja të përjashtuar u rikthyen në detyre nga Gjykata e Apelit Durrës.