Të sëmuresh duke pritur mjekun/ Radhë të gjata në poliklinikën e Fierit, qytetarët presin me orë në radhë
Poliklinika e Fierit është duke u përballur me fluks pacientësh të cilët presin për orë të tëra në radhë për të kryer një vizitë tek mjeku specialist. Vetë qytetarët shprehen të revoltuar nga kjo situatë ndërsa thonë se spitali duhet të shtojë numrin e sporteleve.
Në Poliklinikën e Fierit vendosja e sistemit te referimit online duket se nuk i ka zgjidhur problemet me radhën e gjatë.
Me dhjetëra qytetarë të referuar nga mjeku i familjes presin për orë të tëra në radhë për një vizitë.
Për qytetarët pritja është jo vetëm e lodhshme por dhe e padurueshme.
“Ka shumë kohë që kam zënë radhën dhe nuk kam mbaruar.”
“Kam një orë që punoj më thonë që nuk punon kompjuteri. Thonë se ka probleme sistemi dhe po rrim ne. Kam dy ditë rresht që jam këtu, kam dhe orar dhe nuk po futem dot.”
Për situatën ata fajsojnë institucionet.
“Duhet të ketë shtim të sporteleve, shikoni se si është gjendja.”
“Duhet të ketë shtim të sporteleve.”
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëndrejtori teknik i Spitalit Ramadan Cepele dha një version tjetër pse krijohet radhë, ndërsa fajin thotë se e kanë qytetarët.
“Kjo shmanget vetëm me vullnetin e mirë. Ndaj ju drejtohem qytetarëve fjerak të zbatojnë me përpikëri orarin që ju ka dhënë mjeku i familjes.”
Sipas ligjit asnjë qytetar nuk mund të marrë shërbime në spital tek mjekët specialist nëse më parë nuk rekomandohet nga mjekët e familjes.
