Monedha europiane euro thellon rënien, zbret për herë të parë poshtë vlerës 115 lekë

Monedha europiane euro thelloi më tej rënien në kursin e këmbimit ditën e mërkurë, duke zbritur për herë të parë poshtë vlerës së 115 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 114.82 lekë, në rënie me 0.39 pikë krahasuar me një ditë më parë.

Ndërkohë, në dy javët e para të dhjetorit, monedha europiane ka humbur gjithsej dy pikë në kursin e këmbimit kundrejt Lekut.

Besohet se për javët në vazhdim tendencat e kursit me shumë të ngjarë do të jenë në drejtim të një dobësimi të mëtejshëm të Euros, duke pasur parasysh edhe faktorin sezonal.

Pjesa e dytë e muajit dhjetor shoqërohet me kthim të emigrantëve dhe shtim të turistëve të huaj, duke rritur në këtë mënyrë ofertën e valutës në treg.

Forcimi i vazhdueshëm i Lekut po rezulton një zhvillim i volitshëm në kushtet e inflacionit të lartë dhe këtë vit ka zbutur pjesërisht rritjen e çmimeve të importit, duke pasur parasysh se Euro është monedha kryesore në transaksionet e tregtisë së jashtme të vendit.